Ndërlidhjet

Stajnberg të mërkurën në Kosovë


Xhejms Stajnberg
Xhejms Stajnberg

Zëvendëssekretari i Shtetit, Xhejms Stajnberg, të mërkurën, më 7 prill, do ta vizitojë Kosovën, në kuadër të turneut në rajon, raporton Reuters.

Javën e kaluar, Stajnberg tha se pavarësia e Kosovës ka qenë forcë për stabilitetin në rajon dhe se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në dy vjetët e parë si shtet i pavarur.

Stajnberg tha se një nga çështjet për të cilën dëshiron të bisedojë, është se si të lehtësohet puna e EULEX-it në Kosovë dhe si të ndërtohen ura mes dy komuniteteve.

Ai tha se gjatë vizitës do të bisedohet në mënyrë pragmatike për shtimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.

Stajnberg shtoi se SHBA-të janë shumë të inkurajuara që fqinjët e Kosovës po ndërmarrin hapa pozitivë ndaj Prishtinës, duke vendosur marrëdhënie diplomatike dhe duke shkëmbyer ambasadorë.

Kjo, tha zëvendëssekretari i shtetit, flet për një kuptim praktik në Ballkan lidhur me të ardhmen e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara, tha Stajnberg, dëshirojnë të shohin që kosovarët t'i gëzojnë po ato përfitime që mund t'i kenë edhe vendet tjera në rajon.

Turneun në Ballkan, Stajnberg e fillon nesër në Slloveni, ndërsa, bashkë me ministrin e Jashtëm të Spanjës, Miguel Angel Morations, do ta vazhdojë në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë.
XS
SM
MD
LG