Ndërlidhjet

S'është koha e princ Vidit


Trianë
Trianë

"Shqipërisë i ka ikur koha që të vijë një princ Vidi, të na i zgjidhë historitë dhe të na qeverisë. Po të ishte kështu, atëherë ne i provojmë gjithë botës se nuk jemi të aftë për të qeverisur", thotë analistja nga Tirana, Iris Luarasi, duke komentuar zhvillimet në vend.





Në këta dy muaj, dy partitë e mëdha do t’i masin forcat në bazë. Socialistët janë futur në një stinë protestash, fillimisht në nivel lokal, e që do të kulmojnë më 30 prill me një protestim në Tiranë.

Një ditë më pas, më 1 maj, Partia Demokratike ka paralajmëruar një miting festiv, po në kryeqytet.

Kjo, për analisten Iris Luarasi, është testi që dy partitë e mëdha do t’i bëjnë mbështetjes së tyre në elektorat, që lidhet kryekëput me zgjedhjet lokale të vitit 2011. Fundi i protestave, për Luarasin, nuk do të prodhojë zgjidhje.

“...sepse, me sa kuptoj edhe nga veprimi i menjëhershëm i Partisë Demokratike, për të bërë një protestë tjetër, një kundër-protestë, më datën 1 maj, duke përfituar edhe nga Dita e Festës së Punëtorëve, kam përshtypjen se do të përfundojë më tepër në një matje forcash”.

“Nga kjo pikëpamje nuk do të ketë asnjë lloj zgjidhjeje. Absolutisht, unë mendoj që protestat e fundit të prillit dhe protesta e 1 majit janë një hapje e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale”
, thotë Luarasi.

Për Aleksandër Çipën, protestat janë forma e presionit politik, që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të ushtrojë me qëllim rikthimin e palëve në tryezën e bisedimeve – një marrëveshje, që, sipas Çipës, duhet të arrihet përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2011.

“Ai kërkon ta ushtrojë me çdo kusht presionin maksimal mbi kundërshtarin e tij politik Berisha, për t’u ulur në një tryezë – ajo që është ndoshta nën monitorimin ose jo nga presidenti i Republikës – për të diskutuar dhe për të zgjidhur, në njëfarë mënyre, mosmarrëveshjen, e cila drejtpërsëdrejti i adresohet administrimit të pushteteve dhe administrimit të rrethanave politike, të krijuara në marrëdhëniet e tyre”.

“Rritja e kapaciteteve të presionit dhe sidomos shtimi i kostos së bllokimit mund të jenë një premisë për arritjen e detyrimit për t’u ulur të dy protagonistët e këtij konflikti në një tryezë”
, thotë Çipa.

Për të dy analistët shihet pothuajse i pamundur opsioni i zgjedhjeve të parakohshme, që opozita e hedh si mundësi në mungesë të hapjes së kutive të votimit. Por, për Çipën është vetë opozita që rezulton të jetë më e papërgatitur për një zhvillim të tillë.

“Opozita, deri më tani, nuk ka afishuar një projekt parazgjedhor, ku në mënyrë evidente të përcaktohet projekti dhe programi për qeverisje të re, qoftë në nivelin vendor, qoftë në nivelin qendror. Kështu që në këto kushte opozita duket krejt e papërgatitur. Kryeqeverisësi i vendit, zoti Berisha, duket sikur është në pozita më avantazhuese sesa kundërshtari politik i tij, Rama”.

“Kjo edhe për një arsye tjetër, sepse, në njëfarë pikëpamjeje, kalendari i paracaktuar i integrimeve dhe i detyrimeve që vijnë me proceset integruese të Shqipërisë, e sidomos ai i përqasjes pranë statusit të kandidatit për anëtar i BE-së dhe sidomos liberalizimi vizave – këto janë atribute, të cilat ai do t’i përdorë, qoftë në fushatën paraelektorale, qoftë edhe në marrëdhënie me kundërshtarin politik, për të krijuar premisat e një procesi parazgjedhor apo zgjedhor sipas radhës”,
shprehet Çipa.

Analistja Iris Luarasi thotë se mazhoranca nuk do t’ia ofronte në asnjë rast opozitës luksin e zgjedhjeve të parakohshme. Ajo thotë se mungesa e një zgjidhjeje për krizën vë në pikëpyetje të fortë edhe para institucioneve ndërkombëtare aftësinë e politikë-bërjes në Shqipëri.

“Në fakt, kjo nuk është se më duket një krizë e pazgjidhshme. Edhe bota ka parë këso lloje historish, por njerëzit janë shumë më tepër politikanë nga të dy krahët, për ta tejkaluar këtë situatë që po mban pezull të gjithë shqiptarët. Vetëm tryezat e negocimeve, të diskutimeve dhe të bashkëbisedimeve politike do ta zgjidhin këtë situatë, se nuk do të ketë asnjë lloj mundësie”.

“Unë, për hir të së vërtetës, mendoj se Shqipërisë i ka ikur koha që të vijë një princ Vidi këtu, që të na i zgjidhë historitë dhe të na qeverisë. Po të ishte kështu, atëherë ne i provojmë të gjithë botës se nuk jemi të aftë për të qeverisur, nuk jemi të aftë për të negociuar, nuk jemi të aftë për të bërë politikë”,
deklaron Luarasi.
XS
SM
MD
LG