Ndërlidhjet

Kompensimi i dëmeve të luftës


Mitrovicë (foto arkiv)

Mitrovicë (foto arkiv)


Serbia duhet ta bëjë kompensimin e dëmeve që ia ka shkaktuar Kosovës, para dhe gjatë luftës së fundit, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Musa Limani, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se, me gjithë faktin se kjo çështje është vështirë të realizohet, pala kosovare nuk duhet ta harrojë këtë kërkesë, pasi, siç shprehet, kjo është një e drejtë që i takon shtetit të Kosovës.

Limani thotë se dëme llogariten të gjitha shkatërrimet që janë bërë në pronën private dhe publike, duke përfshirë edhe humbjet në njerëz.

“Kërkesa e Republikës së Kosovës për dëmet ekonomike, politike, shoqërore, sociale e të tjera, duhet të fillojë që nga viti 1989 e këndej”.

“Unë mendoj se Kosova është vonuar në këtë drejtim, sepse ajo duhet të kërkojë jo vetëm për dëmet materiale që janë bërë, por edhe për ato psikike, politike, shoqërore etj.”
, thotë Limani.

Edhe Ismail Kastrati, ekspert për çështje ekonomike, mendon se Kosova është vonuar për të bërë një kërkesë të tillë.

Ai thotë se kanë kaluar më se dy vjet nga shpallja e pavarësisë dhe se ende nuk dëgjohet zëri i autoriteteve kompetente karshi kësaj kërkese.

Kastrati thotë se Serbia duhet ta pranojë atë që ka ndodhur para dhe pas viteve ‘90 dhe, rrjedhimisht, ta pranojë edhe kompensimin.

“Pas bisedave që janë zhvilluar në Vjenë, ky problem pothuajse është neglizhuar. Besoj se, kurdo qoftë, ky problem duhet të hapet dhe këto dëme duhet të kërkohen. Mendoj se Serbia gjithnjë duhet ta ketë parasysh se sot ose nesër duhet t’i paguajë dëmet e luftës”
, thekson Kastrati.

Ndërkaq, Musa Limani mendon se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës rreth dëmeve të luftës që i ka shkaktuar Serbia në Kosovë - qoftë në njerëz, qoftë në ekonomi.

“Është e drejtë e jona që ta kërkojmë një gjë të tillë. Nëse e shikojmë historikisht - të gjitha vendet që kanë qenë nxitëse të luftës dhe janë humbëse të luftës, duhet t’i paguajnë dëmshpërblimet ndaj atyre që ua kanë cenuar dinjitetin, territorialitetin dhe kanë bërë dëme në njerëz, ekonomi e të tjera”, shprehet Limani.

Ndryshe, sipas të dhënave të ekspertëve të ekonomisë, dëmet që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës llogariten deri në 15 miliardë dollarë.

Por, megjithatë, ende mungojnë të dhënat zyrtare, edhe pse udhëheqës të lartë të Qeverisë, ditë më parë, kanë pohuar se dëmet janë të evidentuara dhe se shteti i Kosovës, me kohë, do të kërkojë llogari për to nga Serbia.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG