Ndërlidhjet

Analistët: Presionet e BDI-së, të vonuara


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë

Presionet e zyrtarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim ndaj kryeministrit Nikolla Gruevski për zgjidhjen e problemit me emrin dhe pengimin e projekteve që konsiderohen të jenë në dëm të shqiptarëve, nuk do të kenë kurrfarë ndikimi, vlerësojnë analistët politikë në Maqedoni.



Joserioze dhe të vonuara - kështu i vlerësojnë analistët politikë në Maqedoni presionet e fundit që dëgjohen nga drejtuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim ndaj partnerit të tij të koalicionit qeveritar, VMRO-DPMNE-së, për zgjidhjen e kontestit rreth emrit dhe të çështjeve të hapura, që kanë të bëjnë me shqiptarët.

Analisti Artan Sadiku thotë se kryeministri Nikolla Gruevski, jo vetëm që nuk i merr për serioze presionet e tilla, por ai, me ritëm të përshpejtuar, po i realizon projektet e nisura, e që kanë tensionuar raportet ndëretnike, si ai për pamjen e re të Shkupit vetëm me përmendore të personaliteteve maqedonase, pastaj vendimi për mësimin e maqedonishtes për nxënësit shqiptarë nga klasa e parë, zvarritja e botimit të një enciklopedie të re pas asaj që shkaktoi reagime të shumta në opinion, e kështu me radhë.

“Presionet që bëhen, në njëfarë mënyre, janë klithmat e fundit, për shkak se BDI-ja ka dështuar dhe tani presioni që bëhet përmes mediumeve, është shfaqje e dobësisë së partnerit shqiptar brenda Qeverisë dhe jo e një presioni real. Presioni real duhej të bëhej brenda në Qeveri, aty ku merren vendimet, pasi me një presion të tillë nuk do të ndodhte as enciklopedia e as projekti Shkupi-2014”, deklaron Sadiku.

Ndërkohë, analisti Xhelal Neziri thotë se partia shqiptare në Qeveri me vonesë e ka kuptuar se qëndrimi i saj në ekzekutiv, pa asnjë platformë politike, është i barabartë me, siç thotë ai, vetëvrasje politike.

Neziri thotë se presionet e tanishme të BDI-së bëhen pas paralajmërimeve jozyrtare se në Maqedoni do të ketë zgjedhje të parakohshme, për shkak të moszgjidhjes së çështjes së emrit, dhe këtë periudhë, sipas tij, kjo parti do ta shfrytëzojë për ta artikuluar edhe një herë programin e parealizuar partiak gjatë të qenët në pushtet.

“BDI-ja tani e ka kuptuar se të ndenjurit në Qeveri, pa asnjë platformë konkrete partiake që lidhet me shqiptarët, është një vetëvrasje politike për vetë partinë dhe funksionarët e saj. Ata tanimë janë të vetëdijshëm apo kanë nuhatur përgatitjet për zgjedhje të parakohshme parlamentare, andaj edhe dëshirojnë që disa nga pikat e tyre të propaganduara dhe të premtuara nëpër fushatat parazgjedhore, t’i implementojnë në këtë përbërje qeveritare”
, thotë Neziri.

Ai mendon se veprimi i këtillë politik është i dëmshëm jo vetëm për partitë, por, në radhë të parë, për qytetarët shqiptarë, kërkesat e të cilëve për status më të mirë, janë peng i mungesës së platformave të partive shqiptare, që me çdo kusht duan të jenë pjesë e pushtetit.

“Partitë shqiptare, synim të vetëm kanë ardhjen në pushtet dhe për këtë ata nuk zgjedhin metoda. Partitë shqiptare nuk kanë vijë të kuqe se deri ku mund të shkojnë me koncesionet apo lëshimet që i bëjnë partnerit maqedonas, që shkojnë poshtë edhe asaj që e përcakton edhe Marrëveshja e Ohrit. Partitë shqiptare duhet ta përcaktojnë vijën e kuqe brenda tyre dhe definimi se kush do të futet në negociata me mandatarin për formimin e koalicionit qeverisës, do të sigurojë një pozitë shumë më të favorshme për shqiptarët në të ardhmen”
, shprehet Neziri

Edhe analisti Artan Sadiku thotë se prioritete për partitë shqiptare duhet të jenë: platforma politike, programi me kërkesa dhe afate, si dhe legjitimiteti nga votuesi shqiptar në zgjedhje.

“Të gjitha partitë shqiptare duhet të krijojnë një strategji të përbashkët, se cilat janë interesat dhe kërkesat e shqiptarëve në këtë shtet, pasi vetëm atëherë mund të bëhet presion ndaj Gruevskit. Nëse partitë shqiptare vihen në garë se cila do t’i pëlqejë më shumë Gruevskit, atëherë ai do ta ketë në dorë mjetin shumë të lehtë - atë të kushtëzimit të partive shqiptare me një minimum sa më të vogël, që të marrë njërën prej partive në koalicionin qeveritar”, deklaron Sadiku.
XS
SM
MD
LG