Ndërlidhjet

SHBA: Shpallen planet e reja atomike

  • RFE /RL

Uashington

Uashington

Administrata e presidentit amerikan, Barak Obama, publikon dokumentin “Rishikimi i Sjelljes Bërthamore”, në të cilin theksohet politika dhe strategjia e Uashingtonit se kur dhe në çfarë situatash, Shtetet e Bashkuara do ta përdornin armatimin atomik.



Administrata e presidentit Barak Obama shpall politikën e re të sigurisë bërthamore, e cila synon reduktimin e numrit të situatave, në të cilat Shtetet e Bashkuara do ta përdornin armatimin atomik.

Njëherësh, zyrtarët amerikanë thonë se Uashingtoni dëshiron të tregojë sigurinë për mbrojtjen atomike, të cilën ua ofron aleatëve.

Dokumenti politik, i quajtur “Rishikimi i Sjelljes Atomike”, po publikohet një vit pas diskutimeve me Pentagonin dhe po ashtu konsultimeve me qeveritë aleate.

Ky është rishikimi i parë i politikës atomike nga Shtetet e Bashkuara, prej vitit 2001, dhe i treti prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, para dy dekadash.

Pritet që në të të përfshihet terminologjia, që e redukton mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në armatimin atomik për mbrojtjen e vet kombëtare, duke i zvogëluar caqet potenciale atomike të Shteteve të Bashkuara.

Në një intervistë për të përditshmen Nju Jork Tajms, presidenti amerikan, Barak Obama, tha se administrata e tij, në mënyrë të qartë, është e përkushtuar që armatimin atomik të mos e përdorë kundër shteteve jo bërthamore, që bashkëpunojnë me Marrëveshjen globale për moszgjerim atomik, edhe në rast se ato i sulmojnë Shtetet e Bashkuara me armatim biologjik ose kimik.

Zoti Obama i tha gazetës se kërcënimet e tilla mund të zmbrapsen me “një sërë opsionesh vlerësuese”, që është një kombinim i armatimit konvencional të vjetër dhe të ri.

Por, Obama tha se përjashtim mund të ketë për “rastet e veçanta, siç janë: Irani dhe Koreja Veriore”.

Ai po ashtu theksoi se është i bindur se Irani është në rrugën që “po u mundëson atyre kapacitete të armatimit bërthamor”.

Ndryshimet e politikës, të përmendura nga presidenti Obama, e reflektojnë përkushtimin e tij drejt botës pa atom.

Publikimi i “Rishikimit të Sjelljes Bërthamore” bëhet para nënshkrimit të pritur nga presidentët Barak Obama dhe Dmitri Medvedev të marrëveshjes së re “START”, sipas së cilës, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do t’i reduktojnë arsenalet e armatimit atomik.

Nënshkrimi i këtij dokumenti bëhet këtë të enjte në Pragë të Çekisë.

Eksperti Kingston Reif, nga Qendra për Kontroll të Armatimit dhe të Moszgjerimit, me seli në Uashington, i tha Radios Evropa e Lirë se ndryshimet në politikën bërthamore të Shteteve të Bashkuara, mund t’i forcojnë argumentet e zotit Obama, se vendet e tjera duhet ose t’i reduktojnë arsenalet e veta atomike, ose të tërhiqen nga përpjekjet për zhvillim të armatimit atomik.

“Duke pasur parasysh samitin për siguri dhe konferencën e rishikimit të moszgjerimit, mendoj se ‘Rishikimi i Sjelljes Bërthamore’, i cili realisht nuk largohet nga status kuo-ja, mund ta vështirësojë rolin e Shteteve të Bashkuara në këto konferenca të ardhshme”.

“Mund të bëhet më e vështirë për Shtetet e Bashkuara për të arritur llojin e mbështetjes që u duhet nga shtetet në mbarë botën, për ta forcuar objektivin e tyre të moszgjerimit, për ta shtuar mbështetjen ndërkombëtare për masat mbrojtëse dhe për t’i eliminuar materialet e ndjeshme atomike”, tha eksperti Reif.

Ai, më tutje, theksoi se qasja e re e Uashingtonit mund të ketë implikime të rëndësishme për atë se si politikat janë të strukturuara për ta reduktuar kërcënimin nga armatimi bërthamor.

Mendoj se njëra nga fushat kryesore ku ky rishikim do të largohet nga rishikimet e mëparshme, është ajo se do të theksohen shumë kërcënimet aktuale kundër interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara, siç janë: terrorizmi atomik dhe kërcënimi për sigurinë kombëtare amerikane nga përhapja e armatimit bërthamor te vendet e tjera”.

“Pra, në këtë aspekt, në ‘Rishikimin e Sjelljes Bërthamore’ mund ta shihni një lloj ndërrimi të theksit kah ajo që vetë armatimi bërthamor shihet si kërcënim për sigurinë kombëtare”
, tha Reif.

Por, me gjithë përgatitjet e presidentit Obama për paraqitjen e strategjisë së re bërthamore të Shteteve të Bashkuara, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, sinjalizoi se Kremlini do të përdorë qëndrim tërheqës në marrëveshjen e re START, nëse planet amerikane për mbrojtjen raketore e dëmtojnë bilancin aktual strategjik atomik.

“Kur dhe nëse vlerësimi për implementimin e këtyre planeve tregon se po e arrijnë nivelin e sistemit të mbrojtjes raketore dhe nëse ekspertët tanë ushtarakë vlerësojnë se ky nivel paraqet kërcënim për forcat strategjike bërthamore ruse, atëherë ne do ta kemi të drejtën për ta përdorur paragrafin e marrëveshjes për tërheqje”
, tha Sergei Lavrov. (f.b.)
XS
SM
MD
LG