Ndërlidhjet

Sa po gjejnë zbatim ligjet e miratuara?


Ligjvënësit kosovarë
Ligjvënësit kosovarë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës japin mendime të ndryshme sa i takon zbatimit të ligjeve, të miratuara në Kuvend. Sipas deputetëve të partive në pushtet, shumë nga ligjet e miratuara janë duke u zbatuar, por ata të partive opozitare thonë se zbatueshmëria e tyre nuk ndodh në praktikë.



Në Kosovë vazhdon të ketë mungesë të zbatimit të mirëfilltë të ligjeve, kanë vlerësuar së fundi ekspertë të drejtësisë. Një gjë të tillë e kundërshtojnë deputetët e partisë në pushtet – Partisë Demokratike të Kosovës.

Bahri Hyseni, kryetar i Komisionit Parlamentar për Legjislacion dhe Gjyqësi, thotë se në Kosovë zbatohen pothuajse të gjitha ligjet që janë aprovuar nga ligjvënësit kosovarë.

“Nga ajo që deri më tani kemi parë në praktikë, ligjet janë duke u zbatuar, jo ndoshta në mënyrën më të kënaqshme, sepse ka vend për përmirësime të mëtutjeshme, mirëpo, megjithatë, mund të konstatoj se ligjet janë duke u zbatuar”,
thotë Hyseni.

Por, anëtari i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Bajram Kosumi, mendon ndryshe. Sipas tij, Kuvendi i miraton ligjet, por ato nuk janë të zbatueshme edhe në praktikë.

“Fuqia e shtetit matet me mënyrën se si ekzekutohen ligjet e miratuara nga legjislacioni i atij vendi. Është e vërtetë se miratohen ligje në Kuvendin e Kosovës, por po aq e vërtetë është se ato ligje nuk fuqizohen, nuk aplikohen, nuk ekzekutohen në jetën e përditshme të qytetarit, bizneseve, familjeve, në jetën sociale. Kjo është mungesë e fuqisë së shtetit”, vlerëson Kosumi.

Bajram Kosumi, njëherësh ish-kryeministër i vendit, numëron dy arsye pse Kosova gjendet në këtë stad sa i takon respektimit të legjislacionit.

“Së pari është papjekuria e institucioneve. E vërtetë është kjo që thuhet, se ende institucionet e Kosovës nuk janë pjekur; ndoshta duhet të kalojë edhe ndonjë vit për të arritur që ta përmbushin mandatin e tyre në të gjitha fushat dhe në të gjitha poret e jetës shoqërore”.

"Ka edhe një arsye tjetër që nuk është dialektike e procesit - është interesi i grupeve të ndryshme politike. Moszbatimi i ligjit u krijon hapësirë grupeve të ndryshme politike për të realizuar interesa të jashtëligjshme”,
deklaron Kosumi.

Edhe Adem Salihaj, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, konsideron se nuk ka një zbatueshmëri të duhur të ligjeve. Ai madje thotë se Kuvendi duhet të ndërmarrë ndonjë hap lidhur me formimin e departamenteve të veçanta, të cilat, siç thotë, do të monitoronin zbatimin e ligjeve në terren.

“Unë mendoj se Kuvendi duhet të mendojë për një mënyrë të monitorimit të zbatimit të ligjeve. Ndoshta duhet të formohen departamente të veçanta, që e bëjnë mbikëqyrjen”.

“Përndryshe, nëse shkojmë në këtë formë, ne do të aprovojmë shumë ligje dhe, në fakt, nuk e dimë se sa po zbatohen në praktikë, ka problem apo s’ka problem, kemi kapacitete për zbatimin e tyre, apo nuk kemi...”
, thotë Salihaj.

Kuvendi i Kosovës, sipas njohësve të çështjeve juridike, ka miratuar ligje, të cilat janë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ata konsiderojnë se nëse nuk gjendet mundësia për zbatimin e tyre, Kosova do të jetë larg shtetit ligjor.

Megjithatë, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Hyseni, mendon se vendi është në rrugë të drejtë, sa i përket zbatimit të legjislacionit.

“Mbi të gjitha, mund të themi se jemi në rrugë të mbarë, që ligjet, të cilat janë duke u aprovuar, të gjejnë edhe zbatim praktik. Një angazhim i komisioneve parlamentare për monitorimin e tyre sjell situata, që nëse dikush nuk dëshiron ta zbatojë (ligjin), ne të kërkojmë që gjithsesi të zbatohet”,
thekson Hyseni.
XS
SM
MD
LG