Ndërlidhjet

Thirrjet për luftë kundër korrupsionit


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Ambasadori amerikan, Kristofer Dell, ndryshimet në Qeveri i cilësoi si luftë kundër korrupsionit. Në të njëjtën frymë u shpreh dhe ambasadori gjerman, Hans Diter Shtajnbah, i cili tha se korrupsioni është i pranishëm në Kosovë.



Ministrat e shkarkuar javën e kaluar janë lavdëruar për punën e tyre nga ana e kryeministrit të Kosovës, i cili edhe i ka zëvendësuar ata me persona të tjerë.

Megjithatë, ambasadori amerikan, Kristofer Dell, deklaroi sot qartë se ndryshimet në kabinetin qeveritar, janë pjesë e luftës kundër korrupsionit.

Ambasadori Dell i bëri këto komente pas një takimi me ministrin e ri të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, te i cili tha se ka besim se do të veprojë kundër korrupsionit.

“Mendoj se, po qe se flasim për ministrin Bajram Rexhepi, apo ministrin e Drejtësisë, Haki Demolli, të cilin po ashtu e takova këtë mëngjes - këta dy zotërinj do të sjellin energji, do të kenë një fokus dhe objektiv të ri për ta luftuar korrupsionin këtu”.

“Ne mezi presim që të punojmë me ta si partnerë të ngushtë, për t’i përforcuar këto përpjekje. Pra, përgjigjja e shkurtër në pyetjen (nëse ndryshimet në kabinetin qeveritar do ta ndihmojnë luftën kundër korrupsionit) është po”
, tha Dell.

Ministri i ri i Punëve të Brendshme takoi sot edhe ambasadorin e Gjermanisë, për ta marrë edhe nga ai mesazhin se korrupsioni duhet luftuar nga të gjithë.

“Mendoj se është e qartë se Qeveria duhet ta luftojë korrupsionin në këtë vend, i cili ekziston dhe nuk ka dyshim për këtë. Presim që Qeveria të merret me këtë problem, qoftë nëse ndodh përmes ministrive të reja, apo në ndonjë proces afatgjatë. Mendoj se në rrugën për integrimet evropiane, luftimi i korrupsionit është një nga faktorët kryesorë”, tha Hans Diter Shtajnbah.

Ai, ndryshimet e fundit në Qeveri i vlerësoi të jenë në harmoni të plotë me proceset demokratike në një vend.

Ndryshe, kritika për korrupsion Kosovës i kanë ardhur, kohëve të fundit, jo vetëm nga organizata vendore që monitorojnë këtë fenomen, por edhe nga organizata ndërkombëtare dhe diplomatë të huaj.

Ministri Bajram Rexhepi premtoi se prioritet numër një në Ministrinë e Punëve të Brendshme do të jetë luftimi i korrupsionit.

“Ky është prioriteti im kryesor që nga fillimi”
, tha ai.

Ministri Bajram Rexhepi është njëri nga shtatë ministrat e rinj, të cilët u emëruan në këto poste javën e kaluar.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas shumë paralajmërimeve, ndërroi gjashtë ministra - tre të Partisë Demokratike të Kosovës dhe tre të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në kuadër të atij që e quajti riformatizim të Qeverisë.

Në këtë kuadër bëri publike edhe themelimin e Ministrisë së re për Integrime, e cila drejtohet nga Besim Beqaj.

Ndërkohë, shumë nga ministrat e shkarkuar janë ndarë të pakënaqur, duke e quajtur largimin e tyre politik dhe jo për shkak të mospunës. Ndërsa, opozita ka deklaruar njëzëri se nuk janë shkarkuar ata ministra, emri i të cilëve është përfolur më së shumti për keqpërdorime apo afera korruptive.
XS
SM
MD
LG