Ndërlidhjet

Faza e dytë e riformatizimit të Qeverisë do t’i sjellë disa nga zyrtarët e lartë qeveritarë para vendimit nëse duan ta mbajnë postin e deputetit apo të ministrit. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, thotë se ligjërisht kjo mbetet çështje individuale e morale.






Mbajtja e posteve të dyfishta, siç është rasti me postin e deputetit dhe të ministrit, bie në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës, vlerësojnë përfaqësues politikë në Prishtinë.

Përcaktimi i para disa ditëve i pesë deputetëve nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët mbajnë edhe poste në Qeveri, që ta lëshojnë njërin nga postet e dyfishta, shihet si i qëlluar, por edhe i vonuar.

Deputeti Riza Smaka, ekspert i çështjeve kushtetuese-juridike, thotë se ana ligjore nuk e pengon një ministër ta mbajë edhe postin e deputetit. Por, ai rikujton se sot, shtetet moderne nuk e praktikojnë një mundësi të tillë për ekzekutivin.

“Ky është një vendim i mirë, por i vonë. Është dashur që në fillim të ndodhë. Pa fije të dyshimit se çdo gjë juridike nuk është edhe morale dhe anasjelltas. Prandaj, nuk është fare e pranueshme në shtetet moderne që të jetë njëkohësisht ministër dhe deputet, kushdo qoftë dhe pa marrë parasysh bazamentin e legjitimitetit”, thekson Smaka.

Deputeti Smaka thotë se prezantimi i të njëjtit person në legjislativ dhe ekzekutiv bie ndesh edhe me parimin e ndarjes së pushteteve. Mirëpo, aktualisht, shumë nga ministrat dhe zyrtarët tjerë të lartë në Qeverinë e Kosovës mbajnë edhe postin e deputetit.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, thotë se nuk mund t’u kërkojë atyre që të heqin dorë nga njëri post, përderisa kjo nuk është në kundërshtim me ligjin.

“Me Kushtetutë dhe me këtë mandat, vetë ministrat kanë të drejtë të mbajnë deri në fund të mandatit dy pozita. Asnjë post tjetër në nivele të larta në administratën publike nuk ka të drejtë t’i mbajë dy pozita, pasi kjo paraqet konflikt interesi. Megjithatë, kjo çështje më shumë mbetet çështje e përgjegjësisë individuale dhe morale të secilit individ”, thotë kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

I pari që dorëzoi postin e deputetit ishte kryeministri Hashim Thaçi. Pas tij, edhe pesë deputetë të PDK-së i kanë paraqitur kryeministrit Thaçi gatishmërinë e dorëzimit të njërit post.

Njëri prej tyre është edhe zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi. Ai thotë se gatishmëria ekziston dhe se tani kjo çështje pritet të rregullohet me përmbylljen e plotë të riformatizimit të Qeverisë, ku do të përfshihet edhe çështja e dy posteve dhe e emërimit të zëvendësministrave në ministritë ku kishte ndryshime.

“Ne kemi kërkuar që në kuadër të procesit të riformimit të Qeverisë, kryeministri të vendosë se në cilën pozitë dëshiron të na shohë në pjesën e ardhshme të mandatit dhe, në këtë drejtim, tashmë me përfundimin e pjesës më të madhe të riformatizimit, me ndërrimin e ministrave, besoj se është hapur mundësia që kryeministri ta thotë fjalën e tij të fundit dhe besojmë se kjo gjë do të jetë e qartë me përmbylljen e emërimeve edhe të zëvendësministrave
”, thotë Krasniqi.

Ndërsa çështja e dy posteve mbetet të vendoset në nivelin politik, ekspertët kanë këshilluar Kuvendin e Kosovës që t’u hyjë ndryshimeve të dispozitave kushtetuese e ligjore, pasi që konsiderohet se mbajtja e postit të ministrit dhe të deputetit nuk përkon me demokracitë moderne dhe bie ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG