Ndërlidhjet

Pjesëmarrja e të rinjve kosovarë në proceset vendimmarrëse nuk është ende në nivelin e duhur, vlerësojnë përfaqësues të të rinjve në Kosovë. Megjithatë, ata thonë se janë bërë ndryshime gjatë viteve të fundit në favor të tyre. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës thonë se Ligji për rininë, i miratuar në fund të vitit të kaluar, ka krijuar mundësi që të rinjtë të jenë pjesë e proceseve vendimmarrëse.



Politika dhe aktorët e saj duhet të jenë të vetëdijshëm se rinia është grupi më i prekur, që ka nevojë për mbrojtje shoqërore, andaj duhet luftuar që të rinjve t’iu mundësohet të kenë rol në proceset vendimmarrëse, thonë përfaqësues të Qendrës Rinore në Prishtinë.

Lindita Loshi, drejtoreshë e kësaj qendre, thotë se në institucionet kosovare, të rinjtë nuk janë ende në pozita vendimmarrëse.

“Aktualisht, hasim në shumë pengesa. Edhe pse është miratuar Ligji për rininë, ai nuk ka filluar të zbatohet. Presim që të fillojë të zbatohet ky ligj, pasi që me këtë do të mund të rregullohen shumë çështje, duke përfshirë këtu edhe rolin e rinisë në proceset vendimmarrëse”, thotë Loshi.

Loshi thotë se shoqëria, veçanërisht organet shtetërore duhet të garantojnë kujdes për rininë, si investimin e tyre më të madh politik.

Ndërsa, Edis Prapashtica, aktivist i Qendrës Rinore të Prishtinës, thotë se shoqëria civile ka filluar të organizohet në nivel më të mirë, në mënyrë që qëndrimet e të rinjve, sipas tij, të shprehen në mënyrë grupore dhe ta kenë efektin e vet.

“Trendët e tanishëm të zhvillimit të përkrahjes së të rinjve dhe rritjes së tyre në procesin e vendimmarrjes direkt do të kenë rritje si kualitative, ashtu edhe kuantitative - gjë që do ta bëjë zërin e një të riu shumë më të vendosur në të ardhmen dhe shumë më konkurrues ndaj vendimeve të caktuara”, shprehet Prapashtica.

Roli i të rinjve në procesin e vendimmarrjes në Kosovë është i rregulluar në bazë të dy dokumenteve, të cilat janë të hartuara nga Qeveria e Kosovës.

Salih Morina, sektar i përhershëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, thotë se janë duke u bërë përpjekje të vazhdueshme për zbatimin e këtyre dokumenteve, në mënyrë që pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje të jetë më e theksuar.

“Viti 2010 krijon dhe hap rrugë të reja për të rinjtë në përgjithësi, që përmes këtyre dokumenteve të rëndësishme, t’iu mundësohet edhe më tej pjesëmarrja në proceset vendimmarrëse”, thotë Morina.

Ndërsa, drejtoresha e Departamentit për Rini në Komunën e Prishtinës, Vlora Durmishi, shpreh bindjen se rinia gjithmonë do ta ketë vendin e merituar në vendimmarrjen komunale.

“Ne do t’i mbështesim të rinjtë me projektet e tyre. Gjithashtu do të mundësojmë që roli i tyre në proceset vendimmarrëse të jetë i dukshëm“, thekson ajo.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG