Ndërlidhjet



Mbipopullimi i Prishtinës, ndërtimet e shumta si dhe mungesa e zbatimit të ligjeve janë tre faktorë, që, sipas Agron Demit, nga Instituti për Politika të Avancuara GAP, kanë bërë që kryeqyteti të jetë shumë jofunksional dhe tejet i ngarkuar.

“Ka të dhëna që qyteti i Prishtinës është ndërtuar për vetëm 50-70 mijë banorë dhe nuk mund ta përballojë numrin prej më shumë se 300 mijë banorësh, sa i ka aktualisht”, thotë ai.

Lumnie Gashi, arkitekte, mendon se mbipopullimi ka bërë që Prishtina të ngulfatet. Ajo thotë se për t’u tejkaluar kjo situatë, duhet të ketë politika zhvillimore të mirëfillta dhe të mos vijë deri të migrimi kaq i madh i njerëzve, që dëshirojnë të jetojnë në kryeqytet.

“Shohim se disa qytete janë duke vdekur. Duhet ndjekur politika të zhvillimit në të gjitha qendrat, sepse, në qoftë se me politika shtetërore mundësohet edhe zhvillimi i qyteteve të tjera, atëherë nuk do të migrojë një numër kaq i madh i njerëzve në Prishtinë”
, thotë Lumnie Gashi.

Problem tjetër, sipas zonjës Gashi, është numri i madh i ndërtesave kolektive, pa ndonjë analizë apo debat se sa vërtet ka nevojë Prishtina për to.

“Duhet të ngrihet një debat se a kemi nevojë për një numër kaq të madh të banesave. Kjo çështje nuk është analizuar shumë, kemi një debalancë të madhe. Kemi më shumë interesa të biznesmenëve për përfitime personale sesa që kemi nevojë aktuale, sepse kjo po na kufizon hapësirat publike, gjelbërimin etj.”
, shprehet ajo.

Në anën tjetër, Muhamet Gashi, zyrtar në Kuvendin Komunal të Prishtinës, thotë se komuna është duke u munduar ta bëjë një zgjidhje të përgjithshme dhe në kuadër të kësaj janë miratuar 13 plane rregullative, që, sipas tij, pritet të zbatohen në vitet në vijim.

“Pas luftës, numri i qytetarëve është shumëfishuar. Përpos nga fshatrat, kanë migruar edhe nga komunat tjera. Plani urbanistik i qytetit ka qenë për një numër shumë më të vogël të qytetarëve. Komuna e Prishtinës është duke u munduar të bëjë zgjidhje të infrastrukturës dhe të planifikojë hapësira të tjera për ndërtim. Në kuadër të kësaj janë miratuar 13 plane rregullative”, bën të ditur Muhamet Gashi.

Një nga problemet tjera, me të cilat përballet në vazhdimësi Prishtina, është mungesa e ujit, për shkak të, siç thuhet, mbipopullimit. Agron Demi, nga Instituti GAP, thotë se burimet e ujit nuk kanë kapacitet ta furnizojnë tërë qytetin me ujë të pijshëm.

“Liqenet e Badovcit dhe Batllavës akumulojnë ujë prej reshjeve dhe assesi nuk mund t’i përmbushin kërkesat e qytetarëve, andaj edhe përballen me mungesë të ujit çdo ditë”,
thotë Demi.

Por, Muhameti Gashi, nga Kuvendi Komunal, thotë se Ujësjellësi Rajonal Prishtina tashmë ka fituar një donacion nga Banka Gjermane dhe Komisioni Evropian dhe pritet që së shpejti të fillojë rigjenerimi i rrjetit të ujësjellësit. Sipas tij, ky projekt do të zgjasë tre vjet dhe pas përfundimit, qytetarët do të kenë ujë 24 orë.

Ndryshe, të dhëna të sakta për numrin e qytetarëve që jetojnë në Prishtinë, ende nuk ka, në mungesë të regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë, por vlerësimet e përafërta flasin se ky numër sillet nga 300 deri në 400 mijë.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG