Ndërlidhjet

Kush përfiton nga bisedimet praktike?


Prishtinë
Prishtinë

Analistët politikë në Kosovë mendojnë se bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit për çështje praktike janë të pashmangshme, por që nga to do të përfitojë më tepër Serbia sesa Kosova. Analistët thonë se institucionet e Kosovës duhet t'i paraqesin kërkesat e tyre në shkëmbim të dialogut, ngjashëm siç po bën Serbia.



Thirrjet drejtuar Prishtinës dhe Beogradit për të nisur bisedime për çështje praktike janë gjithnjë e në rritje. Analistët për çështje politike në Kosovë thonë se bisedimet janë të pashmangshme, porse problemi mbetet nëse ato do të sjellin ose jo rezultate.

Analisti Agron Bajrami konsideron se bisedimet mund të ndodhin pasi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ta japë opinionin këshillëdhënës në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Bajrami thotë se Prishtina ka gabuar, pasi që deri më tani nuk ka kërkuar asgjë në shkëmbim të bisedimeve, siç ka bërë Beogradi.

“Beogradi ka ditur çka të kërkojë në shkëmbim të dialogut. Beogradi ka fituar edhe liberalizimin e vizave, duke bërë këso presionesh, ndërsa Kosova nuk ka bërë ndonjë kërkesë konkrete në shkëmbim të pjesëmarrjes së saj në këto procese, të cilat janë të pashmangshme dhe, në fund të fundit, janë të domosdoshme. Mirëpo, ato duhet të bëhen në mënyra, të cilat do t’i sjellin përfitim edhe Kosovës”
, thotë Bajrami, për Radion Evropa e Lirë.

Analisti tjetër, Ismajl Hasani, thotë se ka një mori çështjesh, që duhet të trajtohen mes Prishtinës dhe Beogradit. Por, këto bisedime eventuale, sipas Hasanit, nuk nënkuptojnë edhe relaksim raportesh mes dy shteteve fqinje.

“Në këtë fazë konsideroj se nuk mund të bëhet fjalë për relaksim, sepse, përveç problemit të të pagjeturve, që është edhe problem human, midis Serbisë dhe Kosovës ka edhe probleme që janë të ndjeshme, ta zëmë: kontrollimi i kufijve, caktimi i vijave kufitare, probleme të tjera që janë të natyrës së përditshme mes fqinjëve në kontekst shtetëror”.

“Nuk mund të flitet për ndonjë situatë relaksimi, por këto janë gjëra të domosdoshme, të cilat fqinjët duhet t’i zgjidhin”
, thotë Hasani.

Serbia nuk e njeh Kosovën, ndërkohë që po bojkoton ato takime rajonale, ku parashihet edhe pjesëmarrja e Kosovës. Rasti i fundit ishte në samitin e Bërdos në Slloveni, me ç’rast prania e Kosovës bëri që presidenti serb, Boris Tadiq, ta anulojë pjesëmarrjen.

Analisti Ismajl Hasani mendon se nëse Brukseli vazhdon ta tolerojë këtë situatë, atëherë vetë Bashkimi Evropian do të futet në udhë pa krye.

“Nëse Brukseli nuk e bën gabimin e Bërdos, atëherë unë mendoj se do të krijohet një situatë, që, të paktën, edhe diplomacia evropiane ta shpëtojë vetveten karshi privilegjeve të pakusht, që në disa situata po i jep Serbisë”,
deklaron Hasani.

Por, me gjithë bojkotimet që Serbia po ua bën takimeve rajonale, të nevojshme në rrugën e Ballkanit drejt integrimit evropian, Agron Bajrami kujton se shteti serb është shumë afër integrimit, ndryshe nga Kosova, e cila zyrtarisht nuk i ka të hapura as negociatat për liberalizim vizash. Dhe, sipas Bajramit, kjo ndodh pasi që Brukseli po ia ofron Serbisë vetëm karotën, por jo edhe shkopin.

“Problemi qëndron për faktin se, përderisa Serbisë i afrohet një karotë shumë reale, shumë e prekshme, për uljen e saj në tavolinën e bisedimeve, Kosova nuk e di se çka mund të përfitojë, apo çka i ofron bashkësia ndërkombëtare në shkëmbim të pranimit të një dialogu me Serbinë, përkundër faktit se Serbia nuk e njeh Kosovën”, thotë Bajrami.

Prishtina zyrtare asnjëherë nuk ka kundërshtuar dialogun për çështje teknike, por ka hedhur poshtë çdo mundësi të bisedimeve për statusin, kërkesë kjo që dëgjohet shpesh në Beograd.

Analistët vlerësojnë se, po qe se tash nisin bisedimet për çështje praktike, ato do t’i kenë si rezultat fotografitë e rastit dhe forcimin e qëndrimit negativ të Serbisë ndaj Kosovës.
XS
SM
MD
LG