Ndërlidhjet

Në Ditën Botërore të Shëndetësisë, zyrtarë të institucioneve shëndetësore dhe atyre mjedisore kanë debatuar për shëndetin e qytetarëve në viset urbane. Kjo çështje është vënë në diskutim, pasi, sipas tyre, urbanizmi është një nga sfidat kryesore të shëndetësisë në shekullin 21.



Me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit, autoritetet kompetente në Kosovë janë përqendruar tek efektet që i shkakton urbanizmi në shëndetin e qytetarëve.

Me këtë rast, Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, në bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka organizuar një debat, me moton “Shëndeti urban ka rëndësi”.

Skënder Syla, udhëheqës i kësaj zyre, e përshkroi urbanizimin si një nga sfidat më të mëdha shëndetësore në shekullin 21.

“Urbanizmi gjithsesi mund t’i ketë efektet pozitive, por, në anën tjetër, ka edhe efektet negative në shëndetin e qytetarëve. Andaj, tani nevojiten veprime, aksione konkrete nga qeveritë, nga organet lokale vendimmarrëse, me qëllim që shëndetin ta vënë në epiqendër të zhvillimit të çfarëdo plani zhvillimor”, tha Syla.

Lidhur me këtë, nënkryetari i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Abdullah Hoti, shprehu shqetësimin për mbipopullimin e kryeqytetit. Ai tha se që nga viti 1999, Prishtina është dyfishuar për nga numri i banorëve.

“Ne po jetojmë në një qytet, që është dyfishuar që nga viti ‘99. Një infrastrukturë rrugore, fillimisht e ndërtuar për 200 mijë banorë; një rrjet i ujësjellësit, i kanalizimit, i infrastrukturës shkollore, shëndetësore, si dhe të gjitha të mirat tjera publike, të ndërtuara për 200 mijë banorë, tashmë po përdoren për një popullsi prej 500 mijë banorësh”, u shpreh Hoti.

Edhe udhëheqës të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor pohuan se një nga shqetësimet kryesore botërore është lëvizja e popullatës nga zonat rurale në ato urbane.

Ministri Mahir Yagcilar tha se një fakt i tillë bëhet edhe më shqetësues në Kosovë, kur merren parasysh mundësitë e komunave që t’u përgjigjen kërkesave të mëdha të qytetarëve për ndërtim dhe realizim të projekteve të tyre.

Por, megjithatë, ministri u zotua për përpjekje të vazhdueshme të Ministrisë së Mjedisit për përmirësimin e situatës aktuale.

“Në këtë drejtim, ka përfunduar një bazë e mirë ligjore, ku, në bashkëpunim me autoritetet komunale, kemi arritur t’i përpilojmë planet zhvillimore të tyre, më tepër se në gjysmën e komunave zhvillimore në Kosovë“, tha ministri Yagcilar.

Në Ditën Botërore të Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë përsëriti angazhimin dhe përkushtimin e saj të plotë në arritjen e objektivave të Mijëvjeçarit, si dhe të të gjitha atyre që shëndetësinë kosovare e bëjnë më të qëndrueshme dhe konkurrente me shtetet e rajonit dhe më gjerë.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mybera Mustafa, tha se kjo ministri ka arritur që brenda një periudhe dyvjeçare të bëjë shumë ndryshime në sistemin shëndetësor të vendit, gjë që, sipas saj, është reflektuar edhe te pacientët.

“Jemi të vetëdijshëm se kemi ende sfida të mëdha para vetes, përfshirë këtu edhe buxhetin e kufizuar dhe joproporcional me nevojat që ka sistemi shëndetësor, sistemin joadekuat të referimit të rasteve, mungesën e disa shërbimeve që pritet të hapen, aparaturën që ka nevojë të përsoset edhe më tej...”.

“Por, jemi të bindur se me një angazhim konkret dhe të koordinuar, mund t’i arrijmë synimet, të cilat janë të përcaktuara edhe me Strategjinë Sektoriale Shëndetësore”
, theksoi Mustafa.

Sidoqoftë, sot, në të gjithë botën po mbahen organizime të ndryshme, për t’u bërë thirrje qytetarëve që të angazhohen për një jetë më të shëndetshme. Këtë e pohoi edhe koordinatorja për zhvillim e Kombeve të Bashkuara, Osnat Lubrani, duke shprehur mirënjohjen që edhe Prishtina u është bashkuar këtyre përpjekjeve.

“Sigurimi i shëndetit publik në kontekst të urbanizimit është prioritet i rëndësishëm për Kosovën, në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, tha Lubrani.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, në vitin 2007, për herë të parë në histori, më shumë se gjysma e popullsisë botërore ishte duke jetuar në qytete. Deri në vitin 2030, sipas kësaj organizate, 6 nga 10 njerëz do të jetojnë në rajone urbane.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG