Ndërlidhjet


Nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhejms Stajnberg, do të takohet sot në Prishtinë me udhëheqësit më të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Diplomati i lartë amerikan do të takohet me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni.

Në orët e pasdites, zoti Stajnberg gjithashtu do ta vizitojë Manastirin e Graçanicës, ku do të ketë një takim të shkurtër me klerin e manastirit. Në Graçanicë ai takon edhe kryetarët serbë nga tri komunat e reja.

Ditë më parë, kur lajmëroi vizitën në vendet e Ballkanit, Stajnberg e vlerësoi pavarësinë e Kosovës si faktor stabiliteti në rajon.

Ai tha se një nga çështjet për të cilën dëshiron të bisedojë, është se si të lehtësohet puna e EULEX-it në Kosovë dhe si të ndërtohen ura mes dy komuniteteve.

Stajnberg gjithashtu ngriti edhe çështjen e shqyrtimit në mënyrë pragmatike të mundësive për shtimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG