Ndërlidhjet

Integrim në letër, por jo edhe në praktikë


Kamp në veri të Mitrovicës

Kamp në veri të Mitrovicës

Për herë të dytë, institucionet e Kosovës shënuan Ditën Ndërkombëtare të Romëve. Vetë përfaqësuesit e romëve kërkuan që vullneti politik të zbërthehet dhe në praktikë. Ndërsa, përfaqësuesit ndërkombëtarë thanë se Kosova i ka premisat që të bëhet lidere në Evropë për mbrojtjen e të drejtave të romëve.


Në Ditën Ndërkombëtare të tyre, romët morën premtimin se kampet në veri të Mitrovicës, të njohura si ‘kampet e turpit’, për shkak të kontaminimit me plumb, së shpejti do të mbyllen.

Premtimi erdhi nga vetë kryeministri Hashim Thaçi, në një konferencë të organizuar për nder të 8 Prillit, që njihet si Dita e Romëve.

Mbyllja e kampeve, të cilat Komisionari për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Tomas Hamarberg, i kishte cilësuar si skandal në mes të Evropës, është një nga shqetësimet kryesore të përfaqësuesve të komunitetit rom. Një nga ta është nënkryetari i Këshillit Konsultativ për Komunitete, Kujtim Paçaku.

“Assesi nuk mund të pajtohemi me jetën e romëve tanë që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës. Vdesin fëmijët me plumb të tepërt në gjak. E di që ekziston vullneti politik, por dëshirojmë që kjo të shndërrohet edhe në praktikë për zhbërjen e kampeve, jo vetëm në veri, por ne kemi edhe disa baraka në Plemetin dhe fshatra të tjera, ku jetesa është në pyetje”, tha Paçaku.

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, tha se veprimet e koordinuara vendore dhe ndërkombëtare do ta shënojnë fundin e kampeve në veri.

“Kjo do ta shënojë fundin e kushteve ekstremisht të këqija në kampet për të zhvendosurit. Komuniteti rom me siguri se do të zhvendoset në Mëhallën e Romëve në jug të Mitrovicës, për të jetuar në një mënyrë të dinjitetshme”, tha Feith.

Ndryshe nga bashkëkombësit e tyre të diskriminuar gjithandej botës dhe në luftë të përhershme për të fituar të drejta të barabarta, romët e Kosovës duket se janë më me fat.

Të paktën, për integrimin e tyre në shoqëri Qeveria ka hartuar një strategji, që duhet të zbatohet deri në vitin 2015.

Ndërsa, drejtoresha e USAID-it (Programi për Zhvillim i Shteteve të Bashkuara) në Kosovë, Patricia Reader, tha se Kosova mund të bëhet lidere në Evropë për mbrojtjen e të drejtave të romëve.

“Besoj se Kosova mund të mësojë nga gabimet e shteteve të tjera dhe ka mundësi që të jetë shembull për pjesën tjetër të botës. Nuk po ekzagjeroj. Duke miratuar Strategjinë për Integrimin e Romëve, Republika e Kosovës u është bashkuar vendeve të tjera evropiane për ta adresuar çështjen rome. Si shtet i ri, Kosova ka premtuar se do t’i përmirësojë kushtet dhe ta eliminojë diskriminimin e romëve në shoqërinë kosovare”, tha Reader.

Por, a mjafton strategjia? Kujtim Paçaku tha se jo të gjitha ato që janë shkruar në letër, janë zbatuar në praktikë.

“Punësimi në institucionet e Kosovës ua ka kthyer shpinën romëve. Edukimi mbetet brengë. Kthimi i dhunshëm është problem edhe i romëve, edhe i Kosovës. Pritet të depërtohen me dhunë nga shtetet e Perëndimit, diku një numër prej 34 mijë, sa janë planifikuar”.

“Por, në momentin kur Kosova ballafaqohet me një krizë të hatashme, çfarë do të bëjnë romët për riatdhesimin e tyre të dhunshëm”,
numëroi problemet e romëve Paçaku.

Në Kosovë vlerësohet se jetojnë rreth 35-40 mijë pjesëtarë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, nga mbi 100 mijë sa vlerësohet të kenë qenë para luftës.

Shumë nga ta kanë ikur në shtetet perëndimore pas vitit 1999, ndërsa një numër i tyre gjendet i zhvendosur nëpër kampe në shtetet fqinje.

Në anën tjetër, organizata të shumta për të drejtat e njeriut kanë alarmuar se niveli i arsimimit në mesin e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas është shumë i ultë. Kjo edhe ka qenë një nga arsyet që ka shtyrë Qeverinë ta miratojë Strategjinë për Integrim të këtij komuniteti.
XS
SM
MD
LG