Ndërlidhjet

logo-print

Kuvendi diskuton rastin Kurti


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Rasti gjyqësor ndaj liderit të “Vetëvendosjes” ka qenë temë boshte e seancës të së enjtes të Kuvendit të Kosovës. Partitë në pushtet thanë se çështjet gjyqësore duhet të trajtohen në një nivel tjetër, ndërkohë që opozita akuzoi gjyqësorin.


Kuvendi i Kosovës zhvilloi një debat mbi ngjarjet e 10 shkurtit të 2007-ës, me theks të veçantë te procesi gjyqësor kundër liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.

Debati përfundoi pas më shumë se 6 orëve pa ndonjë vendim, mirëpo që në fillim të tij u ngrit çështja se a është, në fakt, Kuvendi si organ legjislativ, i thirrur për të debatuar për një çështje të fushës së gjyqësorit.

Përfaqësuesit e partive në pushtet thanë se duhet të respektohet ndarja e pushteteve dhe se Kuvendi nuk është në gjendje të marrë ndonjë vendim për një proces gjyqësor, siç është ai i Kurtit.

Gjatë seancës plenare u propozua dhe krijimi i një komisioni ad-hoc parlamentar, që do të hetonte çështjet lidhur me 10 shkurtin e vitit 2007.

Mirëpo, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, tha se kjo çështje është e panevojshme dhe se ajo çka mund të bëjë Kuvendi i Kosovës është që t’u kërkojë Kombeve të Bashkuara zbardhjen e vrasjes së dy protestuesve dhe plagosjes së dhjetëra të tjerëve tri vjet më parë.

“Si sugjerim i fundmë, në emër të këtij grupi, është që ky debat të shkojë në atë frymë që t’i sugjerohet OKB-së, nëse mund të bëjmë një gjë të tillë, që t’i ndjekë ata njerëz që kanë bërë ato gabime, që kanë shkuar deri në krim në Kosovë dhe këtë gjë ta përmbyllë në sfondin e vet. Gjithsesi, t’i sugjerojmë zotit Kurti t’i përgjigjet si qytetar i ndërgjegjshëm i kësaj republike të re, që të shkojë në gjyq, e ta dëshmojë atë që duhet dëshmuar-pafajësinë e tij”
, tha Buja.

Opozita, ndërkaq, drejtoi një varg akuzash ndaj sistemit të drejtësisë në Kosovë. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, tha se krijimi i peticionit me 150 mijë nënshkrime për shqyrtimin e rastit Kurti në Kuvendin e Kosovës, dëshmon ekzistimin e një varg problemesh që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit në Kosovë.

“Rasti i Kurtit duhet të shqyrtohet edhe një herë në organet, nga të cilat është nxjerrë si rast dhe të mos na vijnë neve çështjet e gjyqësorit në Parlamentin e Kosovës”
, u shpreh Isufi.

Një vlerësim të ngjashëm e dha dhe nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli. Ai tha se procesi gjyqësor kundër Albin Kurtit vë në pah, siç thuhet, përdorimin e standardeve të dyfishta nga gjykatësit ndërkombëtarë dhe përdorimin e rasteve të tilla për qëllime të politikës ditore.

“E kemi për obligim, si Kuvend, të kërkojmë nga drejtësia që t’i zbardhë në tërësi ngjarjet tragjike të shkurtit 2007 dhe që fajtorët të përballen me drejtësinë”
, theksoi Makolli.

Peticioni me 150 mijë nënshkrime i ishte dorëzuar në fillim të muajit mars kryetarit të Kuvendit nga Këshilli kundër procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, shprehu bindjen se me kërkesën e këtij këshilli për të nxitur debat në legjislativin kosovar, është synuar që të bëhet një rekapitullim në lidhje me sistemin e drejtësisë në Kosovë. Këtë gjë, sipas Dacit, e kanë për obligim deputetët e Kuvendit të Kosovës.

“Nuk është qëllim i debatit që ne ta shajmë dikë këtu. Është qëllim që si institucioni numër një në demokraci, dhe jemi shtet parlamentar e jo presidencial, ta marrim përgjegjësinë mbi vete. Hajde të themi: a ka ndonjë ndryshim në mes të 10 shkurtit 2007 dhe sot, sa jemi 2010?”,
tha Daci.

Procesi gjyqësor kundër liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti, ishte hapur nga EULEX-i më 15 shkurt të këtij viti. Seanca e ardhshme gjyqësore është caktuar për 13 prill, pasi që në seancat e planifikuara më parë nuk ishte paraqitur i akuzuari.
XS
SM
MD
LG