Ndërlidhjet

S’ka kompromis për reformat në gjyqësi


Parlamenti i Maqedonisë
Parlamenti i Maqedonisë

Liderët e partive parlamentare në Maqedoni, të enjten, kokë më kokë, kanë diskutuar pa arritur asnjë kompromis mes tyre për reforma në gjyqësi, për të cilat kërkohen ndryshime kushtetuese me dy të tretat e votave në Parlament. Këto ndryshime vijnë me sugjerimin e partisë maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE, e cila konsideron se me këto ndryshime, Këshilli Gjyqësor do të arrijë pavarësi të plotë. Por, partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrime në Qeveri dhe Demokracia e Re në opozitë, kanë kërkuar që gjykatësit në Gjykatën Kushtetuese, vendimet t'i marrin sipas parimit të Badinterit, do të thotë përmes votimit të dyfishtë.


Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrime, Ali Ahmeti, ka kërkuar që në reformat e gjyqësorit të përfshihet dispozita ligjore, me të cilën gjykatësit në Gjykatën Kushtetuese, të gjitha vendimet t'i marrin me parimin e Badinterit.

Ahmeti ka thënë se këto kërkesa i ka parashtruar me shkrim, për të cilat është rënë dakord që të shqyrtohen nga grupet punuese, që do të formohen brenda kohës.

“Të gjitha kërkesat që mendojmë se janë në të mirë të ndryshimeve kushtetuese, ne sot i kemi paraqitur me shkrim. Nëse do të mund të afroheshin qëndrimet, do të ishte mirë. Shpresoj që partitë politike do të ndikojnë që grupet e ekspertëve të arrijnë t`i harmonizojnë qëndrimet”,
ka deklaruar Ahmeti.

Ndërkohë, lideri i opozitës shqiptare, Imer Selmani, ka kërkuar që edhe zgjedhja e përbërjes qeveritare të bëhet me votim të dyfishtë, si dhe Ligji për buxhetin të votohet po me parimin e Badinterit.

Selmani ka thënë se në ndryshimet kushtetuese duhet të përfshihet dhe përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në vend, që, sipas tij, kjo e drejtë është e cunguar.

“Mendimet që i morëm për propozimet tona, ishin se këto propozime e çojnë shtetin në një shtet binacional dhe se vështirë do të mund të pranoheshin nga Qeveria dhe kryeministri Nikolla Gruevski. Nga ana tjetër, unë mund të them se pikërisht sqarimet tona janë në drejtim të ngritjes së ndjenjës se ky shtet është i barabartë si për maqedonasit, ashtu edhe për shqiptarët dhe qytetarët tjerë dhe nuk lejohet majorizimi i pakicës”
, ka sqaruar lideri i opozitës shqiptare, Imer Selmani.

Por, këto kërkesa nuk janë mbështetur nga kryetari i VMRO-DPMNE-së, njëherësh dhe kryeministër i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

“Po qe se këto kërkesa të parashtruara nga BDI-ja dhe DeR, kushtëzojnë ndryshimet kushtetuese, atëherë ne nuk do të insistojmë në to”,
ka deklaruar kryeministri Gruevski, duke nënvizuar se brenda një muaji do të dihet saktë nëse do të ketë ose jo ndryshime kushtetuese.

Ndërkaq, për ndryshimet që janë inicuar nga VMRO-DPMNE-ja, kryetari i kësaj partie, njëherësh dhe kryeministër i Maqedonisë, ka theksuar se janë të lidhura me reformat e sistemit gjyqësor, si segment kryesor i shoqërisë dhe të njëjtat janë në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë për një sistem gjyqësor plotësisht të pavarur.

Me kërkesa konkrete ka dalë edhe opozita maqedonase, LSDM-ja, e cila ka kërkuar që veprat penale gjatë privatizimeve, pavarësisht nga afati kohor, mos të konsiderohen të vjetruara.

“Çdo individ, kushdo që të jetë, që ka shkelur ligjet dhe ka marrë pjesë në mënyrë kriminale në privatizime, duhet të përballet para përgjegjësisë. Besoj se ky propozim do të gjejë mbështetje, nga shumica parlamentare”
, ka thënë lideri LSDM-së, Branko Cërvenkovski.
XS
SM
MD
LG