Ndërlidhjet

Prishtina dhe Beogradi të angazhohen për të pagjeturit


Përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit zyrtar u zotuan se do t’i shtojnë përpjekjet, në mënyrë që familjeve të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, t’iu ofrojnë informata relevante gjatë këtij viti. Përfaqësuesit e palës serbe, ndërkaq, deklaruan se në muajin maj do të fillojë hulumtimi i disa lokacioneve tjera të dyshimta.



Në takimin e radhës të Grupit Punues për Personat e Pagjetur në lidhje me ngjarjet në Kosovë prej janarit të vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, u kërkua nga të dy palët, si nga pala serbe, ashtu edhe nga ajo shqiptare, të ofrojnë më shumë informata për personat e pagjetur.

Përfaqësuesja e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Lina Milner, cila e kryesoi takimin e Grupit Punues në Prishtinë, tha se problemi kryesor në këtë çështje është mungesa e informatave për vend-varrezat e mundshme.

Ajo kërkoi nga të dy palët që këtë çështje ta trajtojnë me prioritet.

“Ka dalë si nevojë shtimi i përpjekjeve për gjetjen e të gjitha informatave për vendndodhjen e varrezave. Mungesa e informatave të reja për të gjitha varrezat e mundshme është pengesa kryesore në këtë proces dhe duhet t’i kushtohet shumë përpjekje kësaj çështjeje fundamentale nga ana e Beogradit dhe nga ajo e Prishtinës”,
tha Milner.

Sipas listës së përkohshme të Grupit Punues, janë edhe 1,862 persona të pagjetur si pasojë e luftës në Kosovë.

Përfaqësues të këtij grupi punues thanë se nga muaji prill do të nisë hulumtimi i shumë lokacioneve të dyshimta brenda dhe jashtë Kosovës. Ndërsa, në planin e veprimit është paraparë hulumtimi edhe i shumë lokacioneve tjera të dyshimta, siç është lokacioni në Rudnicë.

Ndërkohë, në takimin e Grupit Punues morën pjesë përfaqësuesit e autoriteteve të Beogradit. Kryesuesi i delegacionit të Beogradit, Velko Odaioviq, u zotua se do të vazhdojnë me intensitet të plotë që të merren me këtë problem.

Ai tha se do t’i shqyrtojnë kërkesat e delegacionit të Prishtinës për verifikimin e disa ndodhjeve ku mund të gjenden personat e zhdukur.

“Kërkesat kanë të bëjnë me Peroçacin - verifikimi i një informate, e cila është marrë, do të kryhet. Verifikimi i parë do të bëhet në muajin maj, nëse ekziston, edhe për verifikime shtesë edhe për verifikimin e drejtpërdrejtë me delegacionin e Prishtinës ne do të vazhdojnë edhe më tej. Ndërsa, tjetri është pjesa e Metdegës, një vend-ndodhje që është përmendur ku mund të gjenden disa trupa të shqiptarëve të Kosovës dhe do të verifikohet po ashtu në muajin maj”,
tha Odaioviq.

Ndërsa, kryesuesi i delegacionit të Kosovës, Pajazit Nushi, tha se me gjithë angazhimet e bëra, nga të gjitha këto institucione, nuk është arritur të kryhen më tepër se 48 për qind të rasteve që janë të zhdukur.

“Të zhdukurit janë pasojë e luftës dhe çështjeve politike. Ne, me çështjet politike dhe çështjet ushtarake nuk kemi të bëjmë. Ne kësaj çështjeje i qasemi vetëm në aspektin humanitar”.

“Nga ky aspekt është arritur ajo që është arritur, në mënyrë shumë të ngadalshme. As ne që merremi me këtë çështje nuk jemi të kënaqur me atë që është bëri deri më tani, por nuk janë të kënaqur as familjarët”,
u shpreh Nushi.
XS
SM
MD
LG