Ndërlidhjet

Veriu sfidon Kushtetutën


Mitrovicë

Mitrovicë

Veriu i Kosovës paraqet sfidën më të madhe të zbatueshmërisë së Kushtetutës së Kosovës, vlerësojnë deputetët në dyvjetorin e miratimit të këtij akti më të lartë juridik. Ndërkohë, nga opozita, partitë në pushtet kritikohen se po zbatojnë Kushtetutën vetëm sipas interesave të tyre partiake e individuale.



Zbatimi i Kushtetutës në gjithë territorin e Kosovës do të jetë një proces më i gjatë, vlerësojnë deputetët, duke iu referuar gjendjes në pjesën veriore, por edhe problemeve të tjera.

Në dyvjetorin e miratimit të Kushtetutës, deputetët kosovarë thonë se janë të vetëdijshëm që zbatimi i plotë i Kushtetutës sfidohet edhe në pjesë të tjera të vendit, por, megjithatë, veriu paraqet sfidën kryesore.

Nënkryetari dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu, shpreh besimin se problemet e kushtetutshmërisë nuk duhet shikuar vetëm me gjendjen në veri, ku ekzistojnë probleme politike, por duhet vështruar edhe në pjesët tjera, ku ka ngecje po ashtu.

“Veriu është një çështje gati teknike, krahasuar me problemet tjera të institucioneve demokratike, që duhet të konstituohen gjatë këtij rrugëtimi të gjatë. Ky është një proces. Do të thotë, zbatimi i Kushtetutës është proces dhe të gjithë duhet të përpiqemi ta zbatojmë atë”
, thekson Kryeziu.

Miratimi i Kushtetutës, 9 prill 2008.
Në anën tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami, njëherësh ekspert i çështjeve kushtetuese, vlerëson se janë dy segmente kryesore, që sfidojnë në masën më të madhe shtrirjen e autoritetit kushtetues.

E para, nënvizon ai, është shtrirja e kushtetutshmërisë në veri dhe, e dyta, definimi i përgjegjësive të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare, që beson se do të ndodhë pas kalimit të fazës së pavarësisë së mbikëqyrur.

“Ato që kanë qenë mision i kësaj Kushtetute, por nuk janë realizuar, padyshim se e para është shtrirja e autoritetit të saj në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe themelimi i strukturave legale kushtetuese në tërë territorin e vendit, sidomos në pjesën veriore, ku Kushtetuta nuk ka arritur ta shtrijë autoritetin e saj dhe ku ende kemi veprim të ligjeve të shteteve të tjera, që është një atak në sistemin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe kjo do të jetë sfida kryesore”, thekson Bajrami.

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, kritikon ashpër sjelljen e institucioneve dhe të partive në pushtet, duke i akuzuar ato për zbatimin e Kushtetutës vetëm sipas nevojave dhe interesave partiake e individuale.

“Kushtetuta në përpikëri të plotë po zbatohet për interesa të fiseve të qeverisjes në Kosovë, të kryefiseve ose shefave të fiseve dhe në asnjë element të shtetësisë së Kosovës, në asnjë element të mirëqenies së shtetasve apo qytetarëve të Kosovës nuk respektohet”
, thotë Daci.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas nënkryetarit dhe deputetit të saj, Ahmet Isufi, konsideron se institucionet janë ato që po dështojnë ta zbatojnë Kushtetutën.

“Dy vjet pas miratimit të Kushtetutës, nga niveli më i lartë i shtetit nuk zbatohet, nga presidenti, pastaj po ashtu nuk ka shtrirje në gjithë territorin e Kosovës dhe zbatimi i ligjit është në nivelin më të ulët. Shumë elemente të Kushtetutës sot janë vetëm në letër, por nuk ekzistojnë në zbatim në terren”, thotë Isufi.

Akti më i lartë juridik i Kosovës, sipas nënkryetarit të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, është rezultat i kompromiseve ndërmjet kosovarëve dhe ndërkombëtarëve. Kurse, zhvillim edhe më i keq është moszbatimi i saj, nënvizon Makolli.

“Edhe kësisoj si është Kushtetuta, po të zbatohej dhe respektohej nga ana e institucioneve, gjendja do të ishte krejt ndryshe. Nuk ka pjesë të territorit të Kosovës dhe nuk ka pothuajse asnjë nen të Kushtetutës që nuk shkelet në vazhdimësi nga ana e institucioneve të vendit dhe mund të thuhet se zbatimi i Kushtetutës së Kosovës është në krizë tash e dy vjet”, thekson Makolli.

Ndërkohë, partitë politike serbe, që përfaqësohen në institucione, janë të kënaqura me zbatueshmërinë e Kushtetutës. Sllobodan Petroviq, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, thotë se, viteve të fundit, vërehen përparime të dukshme në jetën e komunitetit serb.

Varet se nga cila perspektivë e shikoni, por mendoj se për dy vjet e gjysmë, për komunitetin serb është bërë më shumë, sesa për dhjetë vjetët e fundit”, thotë Petroviq.

Kushtetuta e Kosovës është miratuar më 9 prill të vitit 2008, kurse është fuqizuar po të njëjtin vit, më datën 15 qershor.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG