Ndërlidhjet

Obama siguron aleatët evropianë

  • RFE /RL

Presidenti Barak Obama dhe kryeministrja kroate, Jadranka Kosor. Pragë, 8 prill 2010.

Presidenti Barak Obama dhe kryeministrja kroate, Jadranka Kosor. Pragë, 8 prill 2010.


Disa orë pasi Obama firmosi marrëveshjen e re strategjike për reduktimin e armëve bërthamore me presidentin rus, Dmitri Medvedev, Obama darkoi me krerët e 11 vendeve të Evropës lindore.

Takimi në rezidencën e ambasadorit amerikan në Pragë me krerët nga Bullgaria, Kroacia, Hungaria, Lituania, Sllovenia, Polonia, Republika Sllovake, Letonia, Estonia, Rumania dhe Republika Çeke, erdhi pasi aleatët e Uashingtonit në Evropën lindore ndjehen të neglizhuar nga administrata e Obamës dhe kurrë më të frikësuar nga zgjimi i ndikimit rus në rajonin e tyre.

Aleksandër Vondra, ish-zëvendëskryeministër çek, tha se takimi i dha Obamës një shans për t’i qetësuar aleatët në Evropën lindore.

“Presidenti Obama premtoi dy gjëra në Pragë, një vit më parë. Ai premtoi fillimin e një epoke të re për çarmatimin bërthamor dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë. Është hap i parë, por një darkë nuk është e mjaftueshme”, tha Vondra.

Sipas deklaratës së Shtëpisë së Bardhë, krerët ranë dakord që NATO-ja ishte “qendra e interesit tonë në sigurinë globale”.

Obama gjithashtu theksoi se artikulli 5 i NATO-s, që detyron anëtarët e aleancës për të mbrojtur një anëtar, i cili sulmohet, duhet të mbetet i rëndësishëm për kërcënimet e shekullit 21.

Disa anëtarë nga Evropa lindore shprehën frikën se artikulli 5 nuk do të respektohet, nëse një nga këto vende sulmohet.

Udhëheqësit e Evropës lindore thanë në një deklaratë se “shprehin pikëpamjen e tyre që përmirësimi i marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Moskës, ka ulur tensionet dhe krijon shanse të reja për ta, për t’i përmirësuar marrëdhëniet e tyre me Rusinë”.

Kujtesa e dominimit të Moskës është ende e freskët në këto vende ish-komuniste, të cilat u bënë anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, pas rënies së Perdes së Hekurt.

Edhe pasi Obama nisi një ofensivë diplomatike për të vendosur dhe përmirësuar marrëdhëniet me Moskën, zyrtarët në rajon shprehën frikën që interesat e tyre mund të sakrifikohen, ndërsa marrëdhëniet midis Rusisë dhe SHBA-ve ngrohen.

Majkëll Mekfol, i cili është këshilltar i lartë i Obamës për çështjet ruse, tha se siguria në Evropë është rritur që kur Moska dhe Uashingtoni janë angazhuar.

Ne besojmë një marrëdhënie më esenciale me Rusinë, ku ne mund të flasim rreth gjërave, përfshirë edhe ato për të cilat nuk biem dakord apo që nuk kemi folur më parë. Kur mendoj rreth gjërave që do të mund t’i flasim, kjo, padyshim, është e mirë për sigurinë në këtë rajon të botës”, tha Mekfol.

“Kur ne kemi qenë në marrëdhënie konfrontuese me Rusinë, kjo nuk ka qenë e mirë për sigurinë në këtë rajon të botës”,
shtoi Mekfol.

Këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Ben Rod, theksoi se agjenda dhe udhëtimi i Obamës për ta vizituar Pragën treguan se marrëdhëniet më të mira me Rusinë dhe siguria më e madhe në Evropën lindore nuk përjashtojnë njëra-tjetrën.

“Mendoj se nëse ju shikoni se ku janë gjërat sot, në kuptimin e sigurisë evropiane dhe të Rusisë në përgjithësi, ato kanë ecur para”.

“Fakti se presidenti vjen këtu në Pragë dhe nënshkruan një marrëveshje të madhe për kontrollin e armëve bërthamore me presidentin rus dhe darkon me 11 anëtarë të NATO-s, nënvizon se këto marrëdhënie në asnjë mënyrë nuk vinë në kurriz të të tjerëve
”, tha Ben Rod. (a.ç.)
XS
SM
MD
LG