Ndërlidhjet

Rreziku nga eskalimi


Paqeruajtës të KFOR-it (fotografi ilustruese)
Paqeruajtës të KFOR-it (fotografi ilustruese)

Derisa serbët e veriut të Kosovës kanë kundërshtuar disa herë strategjinë për integrimin e veriut, të hartuar nga Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, ekspertët e çështjeve të sigurisë parashohin se, me fillimin e zbatimit të strategjisë, mund të ketë tensionim të situatës së sigurisë.

Sipas ekspertit Ramadan Qehaja, grupet e caktuara të strukturave paralele, të cilat drejtohen nga Beogradi zyrtar, do të ndërmarrin veprime që do ta prishin rendin.

“Në bazë të analizave, një ‘kundër-ofensivë’ e Beogradit zyrtar, përkatësisht e njerëzve, të cilët i kryejnë urdhëresat e tij, do ta bëjë pak të vështirë që të fillohet me zbatimin e kësaj strategjie, sepse kjo ‘kundër-ofensivë’ do të ndërmerret me të gjitha masat në dispozicion, qofshin ato politike, qofshin edhe në planin e sigurisë, me forca dhe mjete, që me çdo kusht të mos lejojnë që kjo strategji të zbatohet atje”, thotë Qehaja.

Por, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, mendon se situata e sigurisë nuk mund të tensionohet, pasi që, siç thotë ai, strategjia nuk parashikon dhunë, por integrim gradual të pjesës veriore të vendit.

“Kjo strategji nuk nënkupton dhunën, represionin, por integrimin gradual, joshjen me projekte të ndryshme të investimeve, me përmirësimin e mirëqenies sociale. Dhe, janë grupet e tjera të caktuara, të cilat janë të jashtëligjshme, të cilat do të provojnë të krijojnë tensione, mirëpo dihet edhe koncepti i strategjisë, që nuk është ai që do ta përdorë dhunën”
, deklaron ministri Rexhepi.

Serbët e veriut të Kosovës, disa herë, kanë protestuar në Mitrovicë, duke kundërshtuar kështu planet e Qeverisë së Kosovës dhe të Zyrës Civile Ndërkombëtare për integrimin e veriut, në kuadër të sistemit legal të Kosovës.

Ministri Rexhepi bën të ditur se protestat do të lejohen, por vetëm deri në atë masë sa ato nuk prishin rendin dhe qetësinë e qytetarëve.

“Protestat janë të lejuara derisa të mos përdoret dhuna, derisa nuk cenohet siguria qytetare publike. Ata do të lejohen që të mbajnë protesta, por nuk do të lejohen të jenë të dhunshëm. Tensione mund të ketë të vogla, por jo të përmasave të mëdha”, shpreh bindjen Rexhepi.

Megjithatë, eksperti Qehaja thotë se autoritetet e rendit, si ato vendore, ashtu edhe ato ndërkombëtare, duhet të kenë plane për parandalimin e çfarëdo situate të dhunshme.

“Policia duhet të jetë e gatshme që të veprojë në rast të sulmeve të forcave radikale serbe, të cilat janë të përgatitura atje për një gjë të tillë. Unë nuk jam që të përdoret forca kundër popullatës serbe atje, por kundër ekstremistëve, banditëve dhe të gjithë atyre që deshifrojnë destabilizim. Pa një forcë nuk mund të shkojmë atje; duhet të jetë e fundit forca që të përdoret, por, nëse ka nevojë, neve si shtet, Kushtetuta na e mundëson një gjë të tillë”, thotë Qehaja.

Ndryshe, përfaqësuesit e strukturave politike dhe të sigurisë në Mitrovicë, situatën e ditëve të fundit atje e kanë vlerësuar të qetë dhe nën kontroll të autoriteteve të rendit.
XS
SM
MD
LG