Ndërlidhjet

Polakët luten për viktimat e tragjedisë në Smolensk

  • RFE /RL

Varshavë, 10 prill 2010

Varshavë, 10 prill 2010

Dhjetëra mijëra polakë e kanë kaluar natën në rrugë, duke u lutur për 96 viktimat e tragjedisë së aeroplanit polak, që u rrëzua dje në afërsi të aeroportit Smolensk, në të cilin gjendej edhe kryetari i Polonisë, Leh Kacinski dhe shumë autoritetet tjera shtetërore dhe ushtarake. Tashmë shtrohen edhe pyetjet se përse dhe në cilat rrethana ndodhi tragjedia.



Mijëra polakë në Varshavë, Krakov dhe qendra të tjera, me gjithë motin e ftohtë dhe shokun e përjetuar, u bëjnë nderime viktimave të tragjedisë më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore në Poloni.

Presidenti Leh Kacinski dhe liderë tjerë të aparatit shtetëror dhe ushtarak vdiqën pas rënies aeroplanit në pjesën perëndimore të Rusisë. Në aeroplan ishin 97 veta dhe që të gjithë kanë vdekur.

Ata po udhëtonin drejt malit Katin për të nderuar viktimat e masakrës së vitit 1940 ndaj 20 mijë polakëve, shumica prej tyre oficerë të lartë ushtarakë.

Ekspertë të kontrollit ajror në Rusi thanë se kanë njohuri se aeroplani Tupolev, 20 vjet i vjetër, fluturonte shumë ulët dhe se pilotët nuk u ishin përgjigjur sinjalizimeve që u ishin dërguar.

Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi se ai personalisht do të kryesojë hetimet e aksidentit tragjik. Gjatë vizitës që i bëri vendit të tragjedisë, Putin deklaroi se aksidenti është tragjedi për Poloninë dhe Rusinë.

“Ne jemi duke vuajtur bashkë me ju. Në emër të Qeverisë ruse pranoni ngushëllimet e sinqerta për gjithë polakët dhe Poloninë”
, tha kryeministri Putin.

Rusia dhe Bashkimi Evropian e shpallën të hënën ditë zie. Televizioni polak emetoi pamjet e vëllait binjak të Kacinskit në vendin e aksidentit ku kishte vënë lule. Ai me këtë rast edhe kishte identifikuar trupat e pajetë të Leh Kacinskit dhe bashkëshortes së presidentit Maria.

Shumë hetues tashmë janë angazhuar në zbardhjen e hollësive të këtij aksidenti tragjik. Zyrtarët rusë dhe polakë bashkërisht janë duke analizuar kutinë e zezë.

Por, një zyrtar rus tashmë deklaroi se piloti kishte marrë sugjerim nga kontrolli i fluturimit që të mos ateronte në këtë aeroport, por për shkaqe deri më tash të panjohura, ai këtë nuk e kishte zbatuar.

Në Varshavë turmat e mëdha të njerëzve jashtë pallatit presidencial kënduan himnin kombëtar polak, ndërsa mijëra të tjerë ndezën qirinj në shenjë nderimi për presidentin Kacinski.

Liderët botërorë, duke përfshirë presidentin amerikan, Barak Obama, dhe kryeministrin britanik, Gordon Braun, dërguan ngushëllime për popullin polak.

Leh Kacinski, një politikan djathtist dhe kritik i ashpër i Rusisë, ishte një personalitet kompleks i skenës politike të Polonisë. Ishte aleat me Solidaritetin e Leh Velensës, por më vonë bashkë me vëllanë e tij formoi parti konservatore.

Roli i presidentit në Poloni është simbolik, por Kacinski shpesh është konfrontuar me kryeministrin Tusk për shkak të vetos që e dispononte në raport me legjislacionin e qeverisë. Ai kishte bllokuar reformat sociale, në media dhe të tjera.

Por, tragjedia ka bërë që diferencat politike të harrohen. Ushtruesi i ri i detyrës së presidentit, Bronislav Komorovski, në një paraqitje televizive tha se vdekja e Kacinskit nuk duhet të ndajë vendin në të djathtë dhe të majtë:

“Lutjet, ngushëllimet dhe dhembja ime shkon te familjarët e viktimave. Në këto çaste të vështira për kombin tonë, le të bashkohemi të gjithë
”, tha Komorovski.

Vdekja e Kacinskit dhe udhëheqësve të tjerë që ishin në aeroplan është një çështje shumë e ndjeshme për raportet ndërmjet Polonisë dhe Rusisë. Moska me dekada ka refuzuar të pranojë rolin e KGB-së në masakrën e Katinit, për të cilën Kremlini kishte akuzuar forcat naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Çështja është shumë e dhembshme, veçanërisht për polakët, dhe u ka kontribuar tensioneve në raportet Varshavë - Moskë.

Por, kryeministri Tusk synonte avancimin e raporteve ndërmjet dy vendeve dhe është udhëheqësi i parë polak që është ftuar të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të masakrës së Katinit, të mërkurën e kaluar, në të cilën mori pjesë edhe kryeministri rus Vladimir Putin.

Në këtë ceremoni nuk ishte ftuar edhe Leh Kacinski dhe ai këtë vendosi ta bëjë në një ceremoni tjetër që duhej të mbahej të shtunën.

Tashmë kanë filluar të shtrohen edhe pyetjet se përse dhe në çfarë rrethanash u rrëzua aeroplani, në të cilin gjendeshin presidenti Kacinski dhe shumë udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të Polonisë?

Por, në këtë çast, Polonia e shokuar nga dhembja është e fokusuar te nderimi për presidentin Kacinski dhe udhëheqësit tjerë të lartë.






Trego komentet

XS
SM
MD
LG