Ndërlidhjet

Zgjedhjet në veri - përçahen serbët


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Organizim të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, kanë paralajmëruar edhe Kosova edhe Serbia. Por, politikanët serbë të Kosovës kanë mendime të ndryshme rreth çështjes se a po krijon ndasi mes serbëve organizimi i dy palë zgjedhjeve.


Beogradi zyrtar duhet të udhëheqë politikë të njëjtë ndaj të gjithë serbëve që jetojnë në Kosovë, vlerëson Marko Jakshiq, politikan serb nga veriu i Kosovës.

Jakshiq thotë se në zgjedhjet, të cilat do t’i organizojë Beogradi në veriun e Kosovës, më 30 maj, pritet të dalin të gjithë serbët që jetojnë në këtë pjesë të vendit.

Por, sipas tij, edhe serbët e Kosovës qendrore, të cilët tashmë janë pjesë e institucioneve të Kosovës, duhet të largohen nga këto institucione dhe thirrjen për një gjë të tillë duhet ta bëjë Beogradi zyrtar.

“Në rastin konkret, unë mendoj, shpresoj dhe pres që Beogradi, thjesht, t’u bëjë thirrje serbëve në pjesët tjera të Kosovës, në Graçanicë, Ranilluk dhe Shtërpcë, që t’i braktisin institucionet, të cilat i ka formuar Qeveria e Kosovës dhe në masë të madhe t’i pranojnë institucionet dhe zgjedhjet që ka organizuar Qeveria e Serbisë”.


“Arsyeja se pse Qeveria e Serbisë ende nuk e ka bërë një thirrje të tillë, mbetet të shihet në të ardhmen. Sidoqoftë, serbët duhet të kenë një politikë të përbashkët dhe ajo nuk guxon të jetë ndryshe për serbët në veriun e Kosovës dhe ndryshe për serbët që jetojnë në pjesët tjera të Kosovës”
, thotë Jakshiq

Në anën tjetër, Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Graçanica, thotë se dalja e serbëve në zgjedhjet lokale të organizuara nga Prishtina, tashmë ka ndodhur.

Megjithëkëtë, sipas saj, ekzistojnë obstruksione ndaj krijimit të strukturave komunale funksionale nga ana e komunave amë, prej të cilave kanë dalë komunat e reja.

Një gjë e tillë, thotë Trajkoviq, nuk mund të shërbejë si shembull i mirë për serbët e veriut të Kosovës, duke pasur parasysh faktin që institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar organizimin e zgjedhjeve në veriun e Mitrovicës.

Sidoqoftë, shprehet Trajkoviq, serbët e Kosovës qendrore nuk duhet të ndihen inferiorë në raport me serbët e veriut të Kosovës.

“Jo, nuk duhet të ndihemi ashtu, përveç nëse përjetojmë diskriminim nga Prishtina. Për mua është më pak e rëndësishme se kush i organizon zgjedhjet. Më i rëndësishëm është kualiteti i jetesës. Shumë shpesh në Kosovë flitet për diçka që nënkupton dehumanizim të njeriut. Por, aty ku njeriu e ndjen veten mirë, unë mendoj se nuk ka pse mërzitet se çfarë do të ndodhë”.

“Personalisht, mendoj se veriu i Kosovës duhet të ketë një nivel të lidhjeve institucionale me Prishtinën dhe kjo, thjesht, është mënyra që edhe hapësira e Kosovës, por edhe Serbia të nisen drejt integrimeve evropiane dhe të ndalen e të mos merren me projekte që nënkuptojnë ndarje etnike dhe projekte të ndarjes së Kosovës”
, shprehet Trajkoviq.

Ajo shton se pritet që serbët në veri të Kosovës do të dalin në zgjedhjet e 30 majit, të organizuara nga Serbia. Megjithatë, sipas Trajkoviqit, koha do ta bëjë të veten që edhe në zgjedhjet që i organizon Prishtina, të dalin serbët dhe që përfundimisht të legalizojnë statusin e tyre në hapësirën e Kosovës.

Ndryshe, Trajkoviq nuk beson se zgjedhjet e organizuara nga Prishtina dhe ato nga Beogradi po ndikojnë në përçarjen e serbëve.

Por, sipas saj, përçarja duket si e tillë, për shkakun se serbët në Kosovën qendrore kanë punuar më shumë për demokratizim, ndërkohë që serbët në veri, për shkak të pozitës së tyre edhe gjeografike, janë përqendruar në politikë të ngurtë të mosbashkëpunimit.

Në anën tjetër, Jakshiq thotë se gjendja në terren reflekton përçarje në mes të serbëve.

Në terren duket ashtu. Në këtë rast, unë mendoj se Beogradi duhet të udhëheqë të njëjtën politikë ndaj serbëve të Kosovës qendrore, ashtu sikurse edhe ndaj atyre veri të saj. Unë konsideroj se gjithçka është në dorë të Beogradit. Do të thotë, ajo që në një mënyrë obligon serbët apo që e përbën politikën e serbëve në Kosovë, para së gjithash, varet nga Beogradi”.

“Nëse Beogradi tash po luan lojë të dyfishtë dhe dëshiron, thjesht, ndarje të Kosovës, që ta marrë të themi pjesën veriore, ndërkaq pjesën tjetër ta lërë, unë këtë nuk e di. Por, nëse Beogradi mendon dhe vepron kështu, atëherë mendoj që kjo është një porosi mjaft e keqe për të gjithë serbët që jetojnë në këto hapësira”
, thekson Jakshiq.

Mirëpo, Trajkoviq shpreh mendimin se, në këtë moment, siç e quan ajo, historik, është me interes segmenti i instalimit dhe institucionalizimit të sistemit të sigurisë dhe të gjyqësorit, i cili ka lidhje me Prishtinën.

Sipas saj, ky është prioritet, në të cilin duhet punuar dhe se është më pak e rëndësishme nëse serbët e veriut të Kosovës do të dalin në zgjedhjet lokale të organizuara nga Serbia.

Rada Trajkoviq shpreh mendimin se qeveria lokale që mund të dalë nga këto zgjedhje, nuk mund të bëjë asgjë pa ndihmën e strukturës policore dhe sistemit të gjyqësorit.

Kjo është mënyra, thotë Trajkoviq, që të krijohet mundësia e bashkëpunimit të ndërsjellë, si një përgatitje për dalje në zgjedhjet e paralajmëruara të ardhshme lokale të Kosovës.

“Ju mendoni që në pjesën veriore duhet të jenë institucionet policore dhe gjyqësore të Serbisë? Unë mendoj se jo. Unë mendoj se ato institucione duhet të jenë në sistemin e institucioneve të Kosovës”.

“Dhe, si të tilla, ne në veri do të kemi një distrikt esencial, ku institucionet e qeverisjes lokale, ndonëse janë të fituara nga sistemi zgjedhor i Serbisë, do të jenë në fakt një fazë kalimtare drejt realizimit të integrimit të veriut”
, përfundon Trajkoviq.
XS
SM
MD
LG