Ndërlidhjet

Lufta me fjalë (?)


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Autoriteteve të Kosovës po u bëhet thirrje gjithnjë e më shumë, për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Analistët kosovarë vlerësojnë se institucionet e vendit nuk po e luftojnë sa duhet korrupsionin.


Krahas kërkesës për dialog me Serbinë, përmbushjes së kritereve për integrim në BE, diplomatët e huaj gjithnjë e më tepër po u kërkojnë autoriteteve kosovare që ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Së fundi, gjatë vizitës në Kosovë, zëvendëssekretari amerikan i shtetit, Xhejms Stajnberg, tërhoqi vërejtjen se mungesa e luftimit të këtyre dukurive nuk e dëmton vetëm integrimin dhe investimet e jashtme, por e dëmton edhe të ardhmen e Kosovës.

Analisti Bardh Hamzaj thotë se tashmë thirrjet kanë kaluar në vërejtje.

“Përsëritja e këtyre thirrjeve, në radhë të parë, flet për atë se në Kosovë nuk është duke u luftuar korrupsioni dhe krimi i organizuar. Kështu që sa më shpesh që të përsëriten ato, nga kërkesa, po kalojnë në vërejtje”.

“Pritjet kanë qenë të mëdha edhe nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga ai i brendshëm, që me rastin e formatizimit të kësaj qeverie, të bëhet e qartë edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por, ne, deri më tani, nuk pamë asgjë konkrete si pjesë e luftës kundër korrupsionit”
, vlerëson Hamzaj.

Kreu i organizatës kundër korrupsionit “Çohu”, Avni Zogiani, shpreh mendimin se lufta kundër këtyre dukurive negative është dashur të ndodhë edhe para disa vjetësh.

Por, ai jep një sqarim se përse vetëm tash, po zë kaq shumë vend në fjalorin e diplomatëve të huaj, lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

“Tash është bërë e qartë, ajo që kemi thënë për vite të tëra, se korrupsioni në nivele të larta qeveritare po tolerohet. Tash ka ardhur koha që edhe faktorë të tjerë të jenë të bindur se një gjë e tillë po ndodh”.

“Një gjë e tillë është argumentuar dhe faktografuar përherë e më shumë. Megjithatë, unë po e shoh një tendencë të krijimit të një zhurme rreth korrupsionit më shumë sesa vetë veprimit kundër këtij fenomeni
”, thotë Zogiani.

Kjo zhurmë, sipas Zogianit, aktualisht nuk po shkon në favor të Kosovës.

“Kjo zhurmë po koincidon me procesin e privatizimit të aseteve publike, ku përfshihen kompanitë publike, e sidomos dhënia me koncesion e qymyrit. Unë mendoj se korrupsioni po krijohet si një alibi për shitjen apo faljen e të gjitha aseteve publike”
, thekson Zogiani, duke sqaruar se kjo alibi po krijohet jo vetëm nga politika kosovare, por edhe ajo ndërkombëtare.

Për rritjen e korrupsionit në Kosovë kanë alarmuar jo vetëm organizatat vendore, por edhe ato ndërkombëtare. Së fundi, Qeveria e Kosovës ka krijuar një task-forcë me prokurorë vendorë dhe ata të EULEX-it për luftimin e korrupsionit.

Ndërkohë, që përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, kanë kërkuar nga autoritetet kosovare që të ndërmarrin veprime konkrete për ta luftuar këtë dukuri.

Zogiani nuk beson në sinqeritetin e këtyre thirrjeve. Ai thotë se po të ishin thirrjet e sinqerta, atëherë në retorikën e ndërkombëtarëve do të përfshiheshin dhe ndryshimet e fundit në Qeverinë e Kosovës.

“Asnjë nga ministrat që kanë qenë më së shumti të përfolur, nuk janë larguar. Janë larguar pikërisht ministrat që kanë qenë më pak të përfolur për korrupsion. Është e qartë që nuk është qëllimi që të luftohet korrupsioni, por të krijohet zhurmë rreth korrupsionit”
, shprehet Zogiani.

Përderisa flitet për korrupsion në institucionet e Kosovës, për tri vjet, sa Agjencia Kosovare Kundër-korrupsionit ka evidentuar raste të keqpërdorimit të parasë publike, janë ngritur vetëm pesë aktakuza, por nuk është dënuar asnjë person.

Bardh Hamzaj thotë se këto dukuri po e minojnë shtetin kosovar.

“Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë armiq shumë të mëdhenj të ekzistimit të shtetit të Kosovës dhe në esencë dëmtojnë themelet e tij”,
thekson Hamzaj.

Pritjet se misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, do ta trajtojë më seriozisht këtë dukuri, sipas analistëve ende nuk janë përmbushur.

Ndërkohë, që Agjencia Kosovare Kundër-korrupsionit, ka deklaruar se i ka dërguar këtij misioni të shqyrtojë mbi 30 raste të ndjeshme, që kryesisht kanë të bëjnë me afera korruptive të zyrtarëve të lartë të institucioneve.
XS
SM
MD
LG