Ndërlidhjet

Marrëveshja tregtare Kosovë-BE, ende larg


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Hyrja e ekonomisë kosovare në marrëveshje tregtare me Unionin Evropian, sipas autoriteteve kosovare dhe ekspertëve të ekonomisë, është një çështje që do të marrë kohë. Ata vlerësojnë se Kosova ka kapacitete për të hyrë në këto marrëveshje, por fillimisht, siç thonë, ata duhet të përmirësohet bilanci tregtar, sistemi doganor të shtrihet në tërë vendin, si dhe të luftohet ekonomia e paligjshme.


Për të hyrë në marrëveshje tregtare me Unionin Evropian, institucionet e Kosovës, ditë më parë, kanë bërë hapin e parë në këtë drejtim.

Autoritetet kosovare kanë përgatitur përgjigjet e 217 pyetjeve të Komisionit Evropian, i cili në fund të këtij viti do t’ia përcaktojë Kosovës kriteret që duhet t’i plotësojë, nëse dëshiron të integrohet ekonomikisht në Bashkimin Evropian.

Ministri i Integrimeve, Besim Beqaj, thotë se ky hap tregon që Kosova është e përkushtuar për t’u integruar në ekonominë evropiane. Megjithatë, Beqaj thekson se Kosovës i duhet ende kohë për të hyrë në këto marrëveshje.

“Kosova ka kapacitete për të hyrë në këto marrëveshje tregtare, por është kapaciteti ekonomik i integrimit të Kosovës në Unionin Evropian, që gjithsesi duhet të adresojë të gjitha çështjet prej ambientit të biznesit, konkurrencës, aspekteve të prokurimeve deri në atë që quhet parashikueshmëria afariste”.

“Një ekonomi, e cila dëshiron të integrohet në BE duhet të tregojë se veprimet shtetërore janë të parashikueshme, e jo të ketë befasi gjatë jetës afariste biznesore”
, thotë Beqaj.

Ministri Beqaj thotë se hyrja e Kosovës në marrëveshje tregtare me Unionin Evropian, është një proces që fillon me gjëra bazike institucionale, e të cilat më pas shkojnë duke u trajtuar, por që gjithsesi është një proces mjaft sfidues.

“Sfidat janë në dy segmente: një është parapërgatitja teknike, por sfida tjetër e madhe për të hyrë në marrëveshje tregtare me BE-në, është ngritja e kapacitetit ekonomik që mund t’i bëjë ballë edhe konkurrencës, por do të mund të jetë e pajisur me standarde sipas nivelit evropian për të qenë prezent në tregun, si vendor, ashtu edhe në atë rajonal dhe evropian”,
sqaron Beqaj.

Së fundi, Unionin Evropian, i ka zgjatur afatin Kosovës për ofertën për marrëdhënie preferenciale tregtare për një kohë relativisht të gjatë.

Eksperti për çështje ekonomike, Berat Rukiqi, thotë se Kosova ka kapacitete për të hyrë në marrëveshje tregtare me Unionin Evropian.

“Me ndihmën e mekanizmave ndërkombëtarë, me rekomandimet e tyre, Kosova mund të përgatitet që në një fazë afatshkurtër të jetë nënshkruese e një marrëveshjeje, e cila nuk do të thotë se do të gjejë zbatim të menjëhershëm, por faza-faza”,
vlerëson Rukiqi.

Rukiqi sugjeron autoritetet kosovare që të angazhohen në ngritjen e konkurrencës së tregut vendor, në përkrahjen e eksporteve dhe në kontrollimin e kufijve.

Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, shpreh mendimin se teknikisht Kosova mund të përgatitet për tregjet evropiane, por, sipas tij, Kosova duhet të krijojë edhe mekanizma ligjorë, të cilët, siç shprehet ai, ai nuk janë në nivelin e duhur.

“Institucionet e Kosovës duhet të jenë maksimalisht të përgatitura që të mos jenë një neglizhencë e mospërgatitjes se institucioneve shtetërore dhe operatorëve të tjerë, që në të mbesim prapa vendeve tjera, të cilat tani kanë marrë performanca për liberalizmin e vizave dhe lehtësi tjera në vendet Shengen”,
shprehet Shahini.

Një pengesë tjetër që paraqitet në procesin e hyrjes së Kosovës në marrëdhënie tregtare me Unionin Evropian, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, është edhe mosnjohja e Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG