Ndërlidhjet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mbrëmë, ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Istogut. Fitues i këtyre zgjedhjeve është kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova. Por, në bazë të rezultateve preliminare, ai ende nuk e ka arritur përqindjen e duhur për t’i ikur raundit të dytë të zgjedhjeve.



Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Istogut, të cilat i ka publikuar mbrëmë, para mesnatës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kanë treguar se përqindjen më të madhe të votave, 49. 7 për qind, e ka fituar kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova.

Florian Dushi, kryesues i përkohshëm i KQZ-së, ka thënë se në 55 vendvotime të hapura në Istog, numri i nënshkrimeve në listën përfundimtare të votuesve është 14,815, ndërkaq që në kutitë e votimit kanë qenë 14,793 fletëvotime të rregullta.

“Këto janë rezultatet preliminare. Lidhja Demokratike e Kosovës, kandidati Haki Rugova ka marrë gjithsejtë 7,388 vota ose 49.7 për qind. Partia Demokratike e Kosovës, kandidati Shasivar Haxhijaj ka marrë 3,189 vota ose 21. 6 për qind. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kandidati Muhamet Shatri ka marrë gjithsejtë 3,178 vota ose 21. 5 për qind”, ka njoftuar Dushi.

Dushi po ashtu ka bërë të ditur se kandidati i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Rifat Osmanaj, ka marrë 576 vota ose 3. 9 për qind, ndërkaq kandidati i Aleancës Kosova e Re, Ismet Mulaj, ka marrë 483 vota ose 3. 3 për qind të votave të përgjithshme.

Ndryshe, pavarësisht se kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas rezultateve preliminare, ka marrë përqindjen më të lartë të votave, tash për tash ai nuk e ka kaluar pragun, me të cilin do t’i ikte raundit të dytë të zgjedhjeve.

Dushi ka thënë se ende nuk janë evidentuar rezultatet nga votimi me kusht, ndërkohë që numri i fletëvotimeve me kusht është 213.

“Nëse kemi parasysh numrin e votave me kusht, që është 213, një numër i vogël i votave që kanë ardhur përmes postës, si dhe të kemi parasysh faktin se këto janë vetëm rezultate preliminare, mundësitë për të ndryshuar këto rezultate ekzistojnë, por nuk e dimë se në çfarë mase do të ndryshojnë”.

“Vetëm pas rezultateve përfundimtare, ne do të dimë se a do të kemi balotazh ose jo. Janë votat me kusht, është procesi i ankesave, më tutje është procesi i futjes së të dhënave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, ku edhe mund të korrigjohet ndonjë gabim eventual, nëse ka ndodhur”,
është shprehur Dushi.

Në anën tjetër, dy prej kandidatëve për kryetar të komunës së Istogut, të cilët, sipas rezultateve preliminare, kanë fituar më së shumti vota, kanë thënë se rezultatet nga KQZ-ja janë të pranueshme për ta dhe se kanë parasysh edhe mundësinë e balotazhit.

Haki Rugova, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë:

“Unë besoj dhe jam i bindur, sepse kam besim në KQZ-në, në Komisionin Komunal Zgjedhor edhe në komisionarët që kanë bërë numërimin. Unë besoj se numërimi ka qenë korrekt dhe rezultatet që do të dalin nga KQZ-ja, për mua do të jenë të pranueshme. Megjithatë, presim edhe numërimin e votave me kusht. Mund ta ndryshojnë rezultatin, eventualisht, në favor”.

Ndërkaq, kandidati nga Partia Demokratike e Kosovës, Shasivar Haxhijaj, e ka uruar kundër-kandidatin e tij Rugova, për rezultatin e arritur.

“Ka ndodhur ajo çfarë ka ndodhur. Ne, si parti politike, e pranojmë rezultatin zgjedhor dhe i urojmë fitoren kundër-kandidatit që vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ne besojmë se balotazhi do të vazhdojë, do të hyjmë në garë për raundin e dytë dhe shpresojmë se do të kemi rezultat më pozitiv”, është shprehur Haxhijaj.

Sidoqoftë, të drejtën për të votuar në komunën e Istogut e kanë pasur 39,307 votues, ndërkaq që në votime kanë dalë 38.20 për qind e tyre, pjesëmarrje kjo për të cilën kanë shfaqur pakënaqësinë shumica e kandidatëve që kanë garuar për kryetar të Istogut.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Istogut janë zhvilluar pasi që ish-kryetari i kësaj komune, Fadil Ferati, ndërroi jetë më 30 janar të këtij viti.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG