Ndërlidhjet

Shqetësime mbi riatdhesimin


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Riatdhesimi i detyrueshëm i komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas ka shqetësuar përfaqësuesit e këtyre komuniteteve.

Ata thonë se institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprime konkrete për strehimin e atyre që i nënshtrohen kthimit të detyrueshëm.

Drejtori i Organizatës joqeveritare lokale për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptas, Bekim Syla, thotë se, deri më tash, vetëm nga Gjermania janë kthyer 7,000 persona dhe, sipas tij, pritet të kthehen edhe 15 mijë të tjerë.

“Kthimi është duke ndodhur shumë shpesh. Kthimi i fundit ka ndodhur më 17 mars dhe janë kthyer 140 persona”, thotë ai.

Sipas Sylës, të kthyerit me detyrim aktualisht janë vendosur te të afërmit e tyre, në mungesë të ndonjë strehimi më adekuat.

Por, sipas tij, ka edhe të atillë që menjëherë pas kthimit në Kosovë, kanë ikur për në Serbi, Maqedoni ose Mal të Zi. Syla thotë se pritet që edhe shtetet tjera të Evropës perëndimore ta zbatojnë kthimin e detyrueshëm.

“Këto shtete kanë bërë marrëveshje me shtetin e Kosovës. Do të ishte mirë që Qeveria t’u ndihmojë këtyre personave e mos t’ua lërë barë familjeve edhe këta të kthyer të dhunshëm”
, thotë Syla.

Në anën tjetër, Bashkim Ibishi, nga Qendra për Integrim Ndërkombëtar, thotë se sa i përket legjislacionit, në kuadër të tij futen edhe politikat që kanë të bëjnë me çështje të ndryshme të komuniteteve.

“Në Kushtetutën e Kosovës janë ligjet për të drejtat e komuniteteve. Se sa mbrohen ato, në letër janë të precizuara shumë mirë, por praktikat flasin ndryshe. Qeveria e Kosovës e ka hartuar strategjinë dhe ka aprovuar planin e veprimit për integrimin e komunitetit rom, ashkali, egjiptas”, thotë Ibishi.

Por, Ibishi mendon se nuk ekziston një vullnet i mirë politik për zbatimin e kësaj strategjie. Sipas tij, mbetet shoqëria civile ajo që duhet t’i bëjë presion Qeverisë së Kosovës për realizimin e atyre kërkesave, për të cilat Ibishi thirret në Kushtetutën e Kosovës.

Në anën tjetër, Danush Ademi, nga radhët e komunitetit rom, deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se kthimi i dhunshëm që është duke ndodhur për këto tri komunitete, nga Qeveria e Kosovës nuk është duke u marrë parasysh, e aq më pak duke u ndihmuar.

“Edhe pse Qeveria ka bërë marrëveshje me vendet evropiane për kthimin e dhunshëm, i cili është duke ndodhur, deri më tani nuk është bërë asgjë. Ata njerëz kthehen dhe lihen midis rrugës në mëshirën e Zotit”, shprehet Ademi.

Sipas Ademit, as Ministria e Kthimit nuk është duke ndërmarrë ndonjë hap konkret për të riatdhesuarit e detyrueshëm. Ai thotë se kjo ministri është duke u marrë vetëm me komunitetin serb, duke harruar të drejtat e komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë.

“Merret vetëm me çështjen e serbëve e aspak me komunitetet rom, ashkali, egjiptas. Sipas meje, kjo ministri duhet të titullohet ‘ministria e serbëve për të drejtat e serbëve’, e jo për të drejtat e komuniteteve”, deklaron Ademi.

Sidoqoftë, aktualisht në Kosovë jetojnë 18 mijë romë, ndërsa 32 mijë janë egjiptas dhe ashkalinj.
XS
SM
MD
LG