Ndërlidhjet

logo-print

Nënshkrimin e marrëveshjes për fillimin e punimeve të autostradës Vërmicë - Merdare, ekspertët e shohin si një hap pozitiv. Por, megjithatë, ata theksojnë se kontraktimi i punëve para se ky projekt të jetë i njohur në detaje, nuk është i zakonshëm.


Mosdhënia e detajeve pas nënshkrimit të kontratës ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe konzorciumit amerikano-turk “Bechtel & Enka” për ndërtimin e autostradës Vërmicë - Merdare, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, lë një rrezik për ngritjen e kostos dhe për gjëra të tjera të panjohura gjatë realizmit të këtij projekti.

Eksperti për çështje ekonomike, Muhamet Mustafa, thotë se ky projekt kërkon një përgjegjësi të madhe që të menaxhohet në mënyrë efektive.

“Në këtë drejtim duhet të shihet që kontraktimet të jenë precize në atë pjesë të projektit, ku të gjitha gjërat janë të ditura. Kurse, pjesët tjera do të duhej të kontraktoheshin pasi të dihen vëllimet e punës. Kështu, mbesin shumë gjëra të panjohura. Shpresoj që këto gjëra të zgjidhen mirë, edhe pse një rrezik i tejkalimit të vlerave dhe i një kostoje më të lartë sesa që është e arsyeshme, ekziston”, thotë Mustafa.

Ngritja e vlerës së autostradës Vërmicë - Merdare, sipas tij, do të krijojë probleme për buxhetin e Kosovës. Ndërkaq, sa i përket mënyrës së financimit të këtij projekti, Mustafa shprehet:

“Edhe nëse financohet me para të buxhetit edhe me kredi, prapë buxheti do t’i kthejë ato mjete, e kjo do të thotë që do të ketë më pak para për qëllime të tjera të zhvillimit ekonomik. Mënyra më e mirë e financimit do të ishte me koncesion - me ‘Bechtel & Enka’-n të hyhet në negociata që të arrihet marrëveshja, që kjo kompani disa pjesë të kësaj rruge t’i financojë me koncesion”.


Qeveria e Kosovës tanimë ka bërë të ditur se vlera për kilometër e autostradës do të jetë prej 7.5 deri në 8 milionë euro, e që gjithsejtë do të kapë shumën prej 700 milionë eurosh. Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se mjetet për realizimin e këtij projekti do të sigurohen nga buxheti i Kosovës, nga donatorët dhe nga marrja e kredive.

Eksperti i ekonomisë, Muhamet Mustafa, thotë se këto vlera nuk mund të jenë të sakta, pasi që, sipas tij, projekti detal i ekzekutimit të punëve, nuk është ende i njohur.

Në anën tjetër, ekspertët e ndërtimtarisë vlerësojnë se vlera prej 7.5 - 8 milionë eurosh për kilometër, mund të jetë e arsyeshme, nëse në të është përfshirë edhe ndërtimi i të gjitha objekteve përcjellëse. Megjithatë, disa prej tyre kanë dilema për procesin dhe janë skeptikë në lidhje me skemën financiare për ndërtimin e kësaj autostrade.

Eksperti i ndërtimtarisë, Selman Buçolli, shprehet:

“Sa u përket çmimeve të rrugëve, relativisht në formë të përgjithshme, pa hyrë në detaje, terren më të përshtatshëm për ndërtimin e autostradës sesa në Kosovë, nuk ka; në veçanti, traseja nga Merdarja deri në Vërmicë”.

Ndërtimi i autostradës Vërmicë - Merdare, nga ekspertët vlerësohet edhe si një hap drejt zhvillimit ekonomik. Buçolli shpreh bindjen se autostrada do të sjellë përfitime ekonomike, duke përfshirë këtu edhe punësimin.

“Vlerësimi për këtë rrugë nuk ka koment që është i leverdishëm, jo vetëm për kosovarët, por edhe për tërë rajonin - ndoshta mund ta quajmë rrugë historike. Për Kosovën dhe për Shqipërinë po realizohet një alternativë e mirë e lirimit të çmimeve të transportit, daljes në det, si dhe transportit të mallrave edhe në tërë rajonin”,
thotë Buçolli.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës tanimë ka deklaruar se autostrada Vërmicë - Merdare do të realizohet brenda 36 muajsh, nga dita kur fillojnë punimet. Por, ende nuk dihet saktë data e fillimit të këtij projekti.

Autostrada Vërmicë - Merdare është një komponent kyç i rrjetit ballkanik të transportit, që lidh Evropën juglindore me bregdetin e Shqipërisë.

* * * * * * * * * *

Qeveria e Kosovës nënshkroi kontratën me konzorciumin amerikano-turk “Bechtel & Enka” për realizimin e projektit të autostradës Morinë - Merdarë. Për realizimin e këtij projekti u tha se do të nevojiten rreth 700 milionë euro.

Në emër të Qeverisë nënshkroi ministri i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, kurse në emër të konzorciumit “Bechtel & Enka”, Majkëll Adams dhe Sinan Tara.

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe kryeministri Hashim Thaçi dhe ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Turqisë.

Kryeministri Thaçi e cilësoi këtë si një moment historik të realizimit të ëndrrës së Kosovës.

“Ky është një moment historik për shtetin tonë. Pra, po realizohet ëndrra e qytetarëve të Kosovës. Është projekti më i madh në historinë e deritashme të vendit tonë. Ky projekt i ndërtimit të autostradës Vërmicë - Prizren - Prishtinë - Merdarë i ndihmon qytetarët, duke u krijuar mundësi të reja të lëvizjes së lirë, e integron shtetin e Kosovës fuqishëm në rajon”
, tha Thaçi.

Realizimi i këtij projekti u përshëndet edhe nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell. Ai tha se pajtohej me bashkëfolësit e tjerë se nënshkrimi i marrëveshjes për projektin e kësaj autostrade, paraqet moment historik për Kosovën, që ia hap dyert asaj drejt zhvillimit ekonomik.

“Ky projekt do ta shpie Kosovën më afër tregjeve botërore dhe, në rend të parë, më afër detit”,
tha Dell, duke shpresuar se në të ardhmen lidhja rrugore do të shtrihet edhe tej kufirit me fqinjin verior, Serbinë.

“Mendoj po ashtu se është i rëndësishëm si një simbol i rritjes, forcimit dhe shtimit të kapacitetit të shtetit të pavarur të Kosovës”, tha Dell.

Ndërkaq, në emër të kompanisë “Bechtel”, Majkëll Adams, tha se “Bechtel” dhe partneri i tij “Enka” kanë përvojë të madhe në realizimin e projekteve të ngjashme në vende të Evropës.

“Presim me padurim të bashkëpunojmë me Qeverinë në zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës dhe të ekonomisë së saj” tha Adams.

Përzgjedhja e konzorciumit “Bechtel & Enka”, sipas ministrit të Transportit, Fatmir Limaj, ishte zgjidhja më e mirë. Ai tha se me këtë autostradë, Kosova po lidhet me Evropën dhe po bëhet një faktor edhe më i rëndësishëm i rajonit.

“Ne po ndërtojmë korridorin, ku do të kryqëzohet e sotmja jonë me të ardhmen më të mirë. Me ndërtimin e kësaj autostrade, Kosova do të bëhet më tërheqëse për investitorët e huaj, do të na ofrojë dalje në det, nga do të qarkullojnë njerëzit dhe mallrat nga Kosova në Evropë dhe nga Evropa në Kosovë”
, tha Limaj.

Mjetet për realizimin e këtij projekti, që llogariten deri në 700 milionë euro, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, do të sigurohen nga buxheti i Kosovës, donatorët dhe, në rast nevoje, edhe nga marrja e kredive.

Thaçi po ashtu tha se shumë shpejt do të pasojë edhe dhënia me koncesion e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, privatizimi i PTK-së dhe ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”. Realizimi i këtyre projekteve, sipas kryeministrit Thaçi, është prioritet i Qeverisë së Kosovës.

(Zijadin Gashi)
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG