Ndërlidhjet

Mbretëria e Suazilandit është shteti i fundit që ka bërë njohjen formale të Republikës së Kosovës, duke e rritur numrin e njohjeve në 66. Megjithatë, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme pranojnë se procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ka pasur ndikim në procesin e njohjeve.


Zyrtarët në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) kanë thënë se këto ditë mund të ketë shtim të numrit të njohjeve ndërkombëtare për Kosovën.

Albana Beqiri, zëdhënëse në këtë ministri, konfirmon se nga kontaktet e vazhdueshme që MPJ ka me përfaqësuesit e shteteve të ndryshme, por edhe me ambasadorët e Kosovës, ka sinjale për njohje të reja. Por, siç thotë ajo, procesi i Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ka bërë që të ketë vonesa në këtë drejtim.

“GJND-ja ka ndikuar në stagnimin, ta quaj kështu, të njohjeve. Është një fakt, të cilin ne e kemi potencuar edhe më herët dhe e kemi pranuar vazhdimisht. Është një numër shtetesh, që pret opinionin këshillëdhënës për të marrë vendimin”.

“Ne vazhdimisht ju kemi potencuar se kemi sinjale për njohje të reja. Ne nuk kemi nxituar asnjëherë dhe nuk ka qenë në natyrën e Ministrisë së Punëve të Jashtme që të deklarojë njohje paraprakisht, pa ndodhur ato zyrtarisht”,
thotë Beqiri.

Por, përfaqësues të partive opozitare dhe analistë për çështje politike vazhdimisht kritikojnë institucionet, përkatësisht Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke thënë se kjo ministri nuk ka një strategji të duhur për lobim.

Analisti Ardian Arifaj thotë se përveç numrit jo të mjaftueshëm të njohjeve, është shqetësues edhe fakti që Kosova mungon në forume të ndryshme ndërkombëtare.

“Shumica e vendeve në botë sot po e presin vendimin e GJND-së, për të vendosur pastaj se a do ta njohin pavarësinë e Kosovës apo jo. Për ne është shqetësuese se, përveç njohjeve për Kosovën, po mungon edhe debati për Kosovën. Nuk është duke u folur aspak nëpër forumet ndërkombëtare”.

“Kam frikë se për këtë, një pjesë të madhe të përgjegjësisë e kemi ne këtu në Prishtinë, sepse nuk po angazhohemi mjaft që të lobojmë
“, shprehet Arifaj.

Albana Beqiri hedh poshtë deklaratat se Ministria e Punëve të Jashtme nuk është aktive sa i takon çështjes së lobimit.

“Ne mund t’ju themi se Ministria e Punëve të Jashtme e ka pasur prioritet lobimin që nga themelimi i saj dhe do ta ketë prioritet deri në momentin që ta kemi njohjen e fundit”.

“Për vetë rëndësinë që ka procesi i njohjeve për Kosovën, Ministria e Punëve të Jashtme, edhe pse nuk është ministri e lobimit, e ka prioritet lobimin. Tashmë e kemi pakëz më të lehtë, kemi 20 ambasadorë, të cilët, ndër aktivitetet kryesore të tyre, kanë edhe lobimin”
, thekson Beqiri.

Por, Ardian Arifaj konsideron se aktiviteti i ambasadorëve të Kosovës është i limituar, pasi që, sipas tij, lobimi i tyre varet nga Prishtina dhe strategjia.

“Ambasadorët kosovarë i presin instruksionet nga Prishtina. Nëse Prishtina nuk ka një strategji, atëherë është shumë vështirë për ambasadorët
”, thotë Arifaj.

Kosova, deri më tash, është njohur nga shtetet më të fuqishme botërore, ndër to: Shtet e Bashkuara të Amerikës dhe 22 vende të Bashkimit Evropian.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG