Ndërlidhjet

Obama nis me sukses samitin bërthamor


Samiti i sigurisë bërthamore në Uashington u hap me një shpallje dramatike nga presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviq, se ai do t’i eliminojë të gjitha stoqet e uraniumit të pasuruar në vendin e tij. Hapi i dha hov tubimit historik, për të cilin Shtëpia e Bardhë beson se do ta ndryshojë peizazhin e sigurisë së tërë botës.


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, e hapi Samitin për Sigurinë Bërthamore, të hënën, me njoftimin surprizë të presidentit të Ukrainës, Viktor Janukoviq, që tha se Ukraina do të lirohet nga arsenali i uraniumit të pasuruar në shkallë të lartë.

Janukoviq e bëri premtimim para takimit të Këshillit të biznesit SHBA-Ukrainë.

Reagimi nga Shtëpia e Bardhë ishte i menjëhershëm.

“Kjo është diçka, që SHBA-të janë përpjekur ta bëjnë për më tepër se 10 vite. Materiali mjafton për zhvillimin e disa armëve bërthamore. Dhe, kjo tregon vazhdimin e politikës së Ukrainës për mosprodhimin e armëve bërthamore në një rajon të rëndësishëm, ku ne e dimë që ka shumë uranium të pasuruar”, tha Robert Gibs, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Lëvizja e Ukrainës është pikërisht ajo që Obama shpreson tek udhëheqësit e tjerë të botës në këtë samit, që ata të angazhohen me hapa konkretë për mbajtjen e armëve larg nga terroristët dhe aktorët e tjerë jo-shtetërorë.

Me kërkesën e Obamës, të 47 udhëheqësit e botës janë në Uashington, nën masa të rrepta sigurie, ku për dy ditë do të diskutojnë se si të sigurohen armët bërthamore.

Obama parashikon që në fund të samitit të dilet me disa veprime konkrete dhe specifike nga vendet pjesëmarrëse, për një botë më të sigurt.

Sipas këshilltarit të anti-terrorit në Shtëpinë e Bardhë, Xhon Brenan, kërcënimi është real dhe në rritje.

“Kërcënimi nga armët bërthamore është real, serioz dhe në rritje. Kjo përbën një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë tonë kombëtare dhe të sigurisë globale”, tha Brenan.

Tema e dytë e konferencës është Irani dhe humbja e durimit ndërkombëtar ndaj refuzimit të Teheranit për t’i provuar botës se programi i tij bërthamor nuk ka qëllim të shtjerë në duar armët bërthamore.

Në takimin mes presidentit Obama dhe homologut të tij kinez, Hu Xhintao, u tha se të dyja palët po punojnë së bashku për një paketë të mundshme të OKB-së, që padyshim i tregon Iranit se do t’i kushtojë, nëse vazhdon të shpërfillë komunitetin ndërkombëtar.

Së bashku me Korenë e Veriut, Irani nuk është ftuar në samit, pasi konsiderohet si dhunues marrëveshjes për mospërhapjen e armatimit bërthamor.

SHBA-të presin të sigurojnë mbështetje për sanksionet nga Kina dhe Rusia, anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me të drejtën e vetos.

Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, i cili ndodhet në Samit, ka deklaruar se ai nuk do as Iranin dhe as ndonjë vend tjetër t’i zotërojë armët bërthamore. Turqia mban një vend me rotacion në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe është një nga vendet ku SHBA-të shpresojnë se do t'i mbështesë sanksionet e forta kundër Teheranit.(a.ç)
XS
SM
MD
LG