Ndërlidhjet

Administrimi i pasurisë së konfiskuar


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Në Kosovë ende nuk është funksionalizuar Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar ose të Sekuestruar, edhe pse kjo agjenci, në bazë të ligjit, tashmë është dashur të jetë funksionale, thonë zyrtarë qeveritarë. Ndërsa, ekspertë për çështje ekonomike shprehin dyshim në efikasitetin e kësaj agjencie edhe pas funksionalizimit, për shkak se, siç thonë ata, në Kosovë ende mungon ligji për konfiskimin ose sekuestrimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.


Me gjithë faktin se në Kosovë mungon ende një ligj i posaçëm për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për administrimin e pasurisë së sekuestruar ose të konfiskuar, i cili ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti.

Në bazë të këtij ligji, parashihet themelimi i një agjencie, që do të kishte për obligim të administrojë çdo shumë, e cila fitohet nga shitja e pasurisë së konfiskuar. Por, një agjenci e tillë nuk është ende funksionale.

Bedri Bahtiri, nga Ministria e Drejtësisë, shpjegon arsyet e mosfunksionimit të saj:

“Kjo agjenci nuk është krijuar ende, pasi problem kryesor ka qenë mungesa e buxhetit. Ndërsa tani, me një vendim të Qeverisë, është lejuar buxheti shtesë dhe shumë shpejt do të funksionalizohet, do të emërohet kryeshefi i agjencisë, një ushtrues detyre dhe pastaj do të funksionalizohet e tërë agjencia”.


Sipas Bahtirit, agjencia do ta ketë për detyrim të administrojë pasurinë e sekuestruar ose të konfiskuar, në bashkëpunim me prokurorinë, gjykatën apo organet tjera kompetente.

Sidoqoftë, edhe pse mungon Ligji për konfiskimin ose sekuestrimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme, autoritetet kompetente thonë se një gjë e tillë rregullohet me Kodin Penal të Kosovës.

Bahtiri pohon se ka raste të shumta të konfiskimit të pasurisë, por që nuk administrohen ende nga agjencia.

“Në momentin e funksionalizimit të agjencisë, organi i vetëm kompetent për administrimin e pasurisë së konfiskuar ose të sekuestruar, do të jetë agjencia”.

“Tani secili nga organet, ka pajisjet dhe hapësirat e veta, në të cilat bën administrimin e pasurisë që e sekuestron apo konfiskon. Doganat kanë vendet e tyre të caktuara, Administrata Tatimore, Gjykatat e kështu me radhë”,
sqaron Bahtiri.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike shprehin dyshime në efikasitetin e kësaj agjencie, edhe pas funksionalizimit të saj.

Muhamet Sadiku, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se fillimisht është dashur të miratohet Ligji për sekuestrimin e pasurisë, e pastaj të rregullohet infrastruktura ligjore për administrimin e asaj pasurie, meqenëse, shton ai, në Kosovë ka numër të madh të personave, qofshin fizikë apo juridikë, që nuk e justifikojnë pasurinë me të ardhurat e tyre.

“Në këtë segment, reflekton interesa të shumta dhe kërkohet një vendosmëri e institucioneve që krahas luftimit të korrupsionit dhe krahas luftimit të ekonomisë joformale, ky qark të mbyllet me luftimin, respektivisht me konfiskimin e pasurisë së krijuar në mënyrë të paligjshme”
, thotë Sadiku.

Por, Bedri Bahtiri, nga Ministria e Drejtësisë, shpreh bindjen se me funksionalizimin e kësaj agjencie, do të vërehen efekte pozitive, pavarësisht mungesës së ligjit për konfiskimin ose sekuestrimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme. Ai thotë se për këtë çështje nuk ka mungesë ligjore.

“Kjo agjenci besoj se do të jetë shumë efikase, sepse në Kodin Penal, Kodin Doganor, në Ligjin për Administratën Tatimore dhe ligjet tjera, parashihet mundësia e sekuestrimit dhe konfiskimit”.

“Ne, të vetmin që e kanë shtetet tjera, është çështja e mungesës së ligjit Anti-mafia, siç e ka Shqipëria dhe disa vende tjera, ku barra e provës, barra për të argumentuar se pasuria është e tij, bie në barrën e palës dhe jo në barrën e organeve kompetente”
, thekson Bahtiri.

Sidoqoftë, në bazë të Ligjit për administrimin e pasurisë së konfiskuar ose të sekuestruar, mjetet nga shitja e kësaj pasurie, pas vendimit përfundimtar të gjykatës, derdhen në buxhetin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG