Ndërlidhjet

Topi: Lëvizja e lirë është sinjal për stabilitetin rajonal



Jetësimi i Marrëveshjes së Ohrit, marrëdhëniet midis dy vendeve, si dhe falënderimi për njohjen e Kosovës nga ana e Shkupit kanë qenë temat kryesore të takimit midis presidentit të Maqedonisë Gjorgje Ivanov dhe presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare dy ditore në Maqedoni.

Duke folur për liberalizimin e vizave, presidenti Topi tha se Shqipëria është shumë afër këtij momenti, dhe shtoi se nga kjo e drejtë nuk duhet të përjashtohen as edhe qytarët e Kosovës. Lëvizja e lirë është sinjal për një stabilitet rajonal, është shprehur presidenti Topi.

Presidenti Topi ka vlerësuar se Maqedonia dhe Shqipëria janë dy vende që kanë një rol kyç për stabilitetin rajonal në Ballkan.

Të dy presidentët vlerësuan bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve të tyre, sidomos atë në aspektin ekonomik, si dhe shprehën mendimin që ky bashkëpunim duhet të rritet edhe më tej.

Synimi kryesor, sipas Ivanovit dhe Topit, për Shqipërinë dhe Maqedoninë mbetet integrimi i dy vendeve në BE. Ivanov shprehu dëshirën që edhe Maqedonia të integrohet së bashku me Shqipërinë në strukturat euroatlantike të NATO-s.

Gjatë ditës, Topi do të takohet edhe me kryeministrin Nikolla Gruevski, me kryeparlamentarin Trajko Veljanovski, si dhe do të flasë para deputetëve të parlamentit të Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG