Ndërlidhjet

Që nga viti 1999, në Kosovë ka hyrë një sasi e konsiderueshme barnash me afat të skaduar, qoftë si donacione, qoftë në forma të tjera, dhe rreth tyre, deri më tash, institucionet e Kosovës nuk kanë ndërmarrë asnjë aksion për asgjësim. Një gjë të tillë e pohojnë të paktën zyrtarët që merren me këtë çështje.

Haki Ejupi, monitorues i sistemit farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se dritën e gjelbër për asgjësimin e këtyre barnave duhet ta japë Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, nisur nga fakti se duhet të merren parasysh edhe ndikimet në ambient që mund t’i ketë vetë procesi i asgjësimit.

“Sipas ligjit, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor gëzon të drejtën (për të treguar mënyrën) se si do të bëhet asgjësimi”, thotë Ejupi.

Por, Enver Tahiri, udhëheqës i divizionit për administrimin e kemikateve dhe mbeturinave në kuadër te Ministrisë së Ambientit, hedh përgjegjësinë te Ministria e Shëndetësisë, duke thënë se kjo ministri duhet të krijojë grupe punuese për klasifikimin e barnave sipas llojeve, pastaj për evidentimin dhe bërjen e specifikacioneve, si dhe vendosjen në ambalazhet adekuate për transportimin e tyre për trajtim.

Sipas tij, vetëm pasi të kenë përfunduar këto procedura, Ministria e Ambientit mund të japë leje për asgjësim. Në të kundërtën, thotë ai, asgjësimi do ta rrezikojë rëndë shëndetin e njeriut dhe do të shkaktojë ndotje të ambientit.

“Duhet të bëhet klasifikimi i atyre barnave, sepse nuk dihet çfarë ka në fakt. Ka sasi të madhe, afro 2 mijë metra kub. Nëse nuk menaxhohen mirë, mund të paraqesin rrezik për shëndetin e njeriut dhe ambientin”, thotë Tahiri.

Ndërkaq, zoti Ejupi, nga Ministria e Shëndetësisë, thotë se para dy vjetësh është krijuar komisioni me zyrtarë institucionesh për formimin e projektit për asgjësimin e këtyre barnave pa afat, por, deri më tash, nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret.

Procedurat për asgjësim duhet të bëhen sipas metodave të parapara me udhëzuesin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Dy vjet më parë, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Ambientit kanë emëruar komisionin, që ka pasur për detyrë t’i përgatisë procedurat për asgjësimin e barnave”, thotë Ejupi.

Në anën tjetër, zoti Tahiri pohon se ekziston legjislacioni për asgjësimin e mbeturinave, por asgjësimi i tonelatave të barnave nuk ndodh për shkak të mungesës së projektit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ekziston udhëzimi administrativ dhe në bazë të atyre kritereve që i përcakton, duhet të veprojë Ministria e Shëndetësisë për barnat që posedon”, deklaron Tahiri.

Skënder Syla, udhëheqës i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë, thotë se derisa te këto barna kanë qasje vetëm personat e autorizuar zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë, ato nuk paraqesin rrezik për shëndetin publik.

“Në bazë të informatave që posedoj, është formuar një grup punues që do të hartojë planin adekuat për asgjësimin e sigurt. Pastaj, Ministria e Ambientit, në bazë të legjislacionit në fuqi, do të ndërmarrë veprime adekuate. Në momentin kur të merret vendimi për asgjësimin dhe plani adekuat, Ministria e Ambientit do të sigurojë që nuk do të ketë rrezik për shëndetin publik”,
thekson Syla.

Sidoqoftë, Kosova nuk ka furra adekuate për asgjësimin e këtyre barnave që janë grumbulluar me vite. Përjashtim bëjnë vetëm disa spitale që posedojnë disa furra të vogla, e që shfrytëzohen për nevoja spitalore.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG