Ndërlidhjet

Zbatueshmëria e Kushtetutës


Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Kristofer Dell, theksoi nevojën për shtrirjen, siç tha ai, graduale të autoritetit të Kosovës në të gjithë territorin e shtetit. Ai i bëri këto komente pas takimit me kreun e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.




Zbatueshmëria e Kushtetutës së Kosovës në pjesën veriore të vendit dhe sfidat në këtë drejtim ishin ndër temat e diskutuara sot midis ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Kristofer Dell, dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, Enver Hasani.

Zoti Dell tha se në kuadër të qeverisjes, administratës dhe sundimit të ligjit, ekziston përkushtimi për bashkëpunim.

“Ne jemi të përkushtuar për një shtrirje graduale dhe bashkëpunuese të autoritetit nga Qeveria e Kosovës në gjithë territorin e shtetit”
, tha ambasadori amerikan.

Nga ana tjetër, edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tha se Gjykata Kushtetuese do t’i bëjë përpjekjet maksimale për zbatueshmërinë e aktit më të lartë ligjor.

Hasani tha se të gjitha çështjet dhe vendimet që do të merren nga Gjykata Kushtetuese, do të jenë në përputhje me normat e Kushtetutës.

“Unë ju siguroj profesionalizëm të plotë dhe përkushtim për zbatim të Kushtetutës. Ne do të veprojmë në mënyrë të drejtë për të gjitha rastet. Unë ju siguroj që përkushtimi ynë për zbatim të Kushtetutës është i parezervë”
, tha Hasani.

Ndërkaq, diplomati amerikan, Dell, theksoi gjithashtu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për një gjyqësor të pavarur nga ndikimet politike.

Bazuar në përvojën amerikane, sipas tij, do të jetë e rëndësishme që vendimet e gjykatave të merren parasysh nga të gjitha institucionet e vendit dhe që gjykatat të jenë instanca më e fundit ligjore.

“Në shtetin tim, në fazat e hershme të historisë sonë, ne është dashur të luftojmë shumë për t’i themeluar parimet e pavarësisë së gjykatave nga ndikimet politike dhe për faktin që vendimet e gjykatave të ishin vendime përfundimtare, që ato ta bartnin peshën e ligjit dhe që ato të zbatoheshin nga të gjitha autoritetet e vendit”, u shpreh Dell.

Në lidhje me shtrirjen e autoritetit në pjesën veriore të Kosovës, Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, kohë më parë, ka hartuar një strategji.

Megjithatë, analistët politikë thonë se ekzekutivit kosovar i mungon vizioni për zbatimin e këtij dokumenti.

XS
SM
MD
LG