Ndërlidhjet

logo-print

Për Beogradin, statusi i Kosovës s'është zgjidhur


Prishtinë

Prishtinë

Autoritetet qeveritare të Serbisë nuk i përfillin thirrjet ndërkombëtare për bisedime pragmatike, të cilat do të çonin kah relaksimi i raporteve me Kosovën, duke kërkuar bisedime të reja për statusin. Për ta, statusi i Kosovës është ende i pazgjidhur. Ata e kundërshtojnë ndarjen si opsion dhe thonë se angazhohen "për kthimin e plotë të Kosovës në kufijtë e Serbisë".



Autoritetet qeveritare të Serbisë nuk i përfillin thirrjet ndërkombëtare për bisedime pragmatike, që do të çonin kah relaksimi i raporteve me Kosovën, duke kërkuar bisedime të reja për statusin.

Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, tha sot në Mitrovicë se për Beogradin, statusi i Kosovës është i pazgjidhur, si dhe mbështeti nisjen e bisedimeve jo për çështje pragmatike në interes të të dyja shteteve, siç kanë paralajmëruar diplomatët perëndimorë, por për statusin e Kosovës.

“Ne jemi të vetëdijshëm se problemet, me të cilat ballafaqohemi, nuk mund t’i zgjidhim vetë dhe se duhet të bisedojmë me shqiptarët. Por, ne konsiderojmë se statusi i Kosovës nuk është i zgjidhur ende, sepse gjendja është e tillë që dikush i ka fituar të gjitha, kurse ne serbët nuk kemi fituar asgjë”, tha Bogdanoviq.

Ai, në Mitrovicë, ua premtoi afaristëve serbë mbështetjen financiare nga Qeveria e Serbisë për, siç u tha aty, zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Dje, ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, ka deklaruar se çështja e statusit të Kosovës është e mbyllur. Ai ka mbështetur nisjen e bisedimeve për çështje praktike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por vetëm mbi parimin e dy shteteve të barabarta dhe në kohën kur Serbia do ta kuptojë se statusi, ndarja dhe integriteti territorial i Kosovës nuk do të jenë në tavolinën e bisedimeve.

Ndërkohë, Bogdanoviq tha se Beogradi nuk po angazhohet për ndarjen e Kosovës, por për kthimin e plotë të saj në kufijtë e Serbisë.

“Rrëfimet që dëgjohen nga diplomatët e caktuar ndërkombëtarë në Prishtinë, se Beogradi po bën çmos për ndarjen e Kosovës, janë absolutisht të pavërteta, sepse Kosova është pjesë territoriale e Serbisë”,
tha Bogdanoviq.

Ndërkaq, Rada Trajkoviq, nga Këshilli Nacional Serb, tha se është më se e qartë se as pala kosovare dhe as politika amerikane nuk do të pajtohen me vendosjen e çështjeve statusore në tavolinën e bisedimeve.

Andaj, ajo tha se pret që të paktën të niset një proces i pajtimit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, në mënyrë që të relaksohen raportet mes dy popujve.

“Mendoj se, para së gjithash, udhëheqësia shtetërore e Serbisë duhet të punojë në projektin e pajtimit”, theksoi Trajkoviq, përderisa çështja e pavarësisë së Kosovës, sipas saj, mund të shtrohet për kah ana legale në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në të ardhmen.

Sidoqoftë, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare që Beogradi dhe Prishtina t’i nisin bisedimet për disa çështje pragmatike të interesit të ndërsjellë, përderisa Serbia të mos e njohë Kosovën si palë të barabartë në këto bisedime eventuale, pak besohet se një dialog i tillë mund të fillojë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG