Ndërlidhjet

Funksionalizimi i CEFTA-s?


CEFTA, vendet anëtare

CEFTA, vendet anëtare

Edhe pse ka kaluar më se një vit që kur Serbia dhe Bosnja kanë bllokuar produktet kosovare, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur ende ta zgjidhë këtë problem. Ekspertët thonë se autoritetet po tregohen të papërgatitura karshi çështjes në fjalë.






Qeveria e Kosovës po bën përpjekje të vazhdueshme për zhbllokimin e Marrëveshjes CEFTA me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, thonë zyrtarë qeveritarë.

Përkundër faktit se Kosova është nënshkruese e Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), ka më se një vit, produktet kosovare janë bllokuar nga Serbia dhe Bosnja.

Fatos Sahiti, këshilltar politik në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë, thotë se institucionet e Kosovës mbesin fuqimisht të angazhuara që këtë marrëveshje ta kthejnë në dobi të Republikës së Kosovës.

“Kjo marrëveshje është në fazën e zbatimit të saj. Mendojmë se me një trysni të Bashkimit Evropian, vendet që kanë marrë vendime politike, do t’i shfuqizojnë vendimet politike. Përndryshe, çështjet janë të adresuara dhe mendojmë se është koha e fundit që Serbia dhe Bosnja ta ndryshojnë qëndrimin e tyre. Ky qëndrim është politik”, shprehet Sahiti.

Por, ndryshe mendojnë njohës të çështjeve ekonomike. Ali Jakupi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se institucionet vendore po tregohen të papërgatitura karshi këtij problemi.

Ai madje shpreh shqetësimin se autoritetet kompetente nuk kanë bërë ende ndonjë përllogaritje të dëmeve, që kjo bllokadë i ka shkaktuar komunitetit të biznesit.

“Në këtë drejtim është dashur të bëhet më shumë nga institucionet tona. Por, institucionet tona i kemi shumë të papërgatitura - të papërgatitura, po e theksoj”.

“Pa e analizuar gjendjen, ato nuk janë të përgatitura për të ndërtuar një strategji. Prandaj, këto gjëra janë komplekse
”, thotë Jakupi.

Ndryshe, që nga dhjetori i vitit 2008, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kanë bllokuar produktet e Kosovës, për shkak të ndërrimit të vulës së doganave nga ato të UNMIK-ut në Doganat e Kosovës.

Mallrat me këtë vulë nuk lejohen të kalojnë as transit nëpër Serbi.

Fatos Sahiti, nga Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë, konfirmon humbjet e komunitetit të biznesit nga shkelja e kësaj marrëveshjeje dhe, sipas tij, tashmë po bëhen analizat e dëmeve.

“Dëmet janë të konsiderueshme. Tashmë i kemi analizuar dhe janë në shifra. Shumë shpejt do të dalim me një publikim, sepse ato analiza i kemi prezantuar edhe në sekretariat”, thotë Sahiti.

Sidoqoftë, ekspertë për çështje ekonomike vazhdimisht kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i kundërpërgjigjet Serbisë dhe Bosnjës me masa të njëjta, duke ndaluar hyrjen e mallrave të këtyre dy shteteve në Republikën e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG