Ndërlidhjet

Nuk zbatohet Ligji për gjuhën shqipe


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe nuk zbatohet në Kuvendin e Maqedonisë dhe kjo i ka detyruar deputetët shqiptarë t’i bojkotojnë seancat e komisioneve parlamentare. Partia opozitare, Demokracia e Re, ka ftuar BDI-në (Bashkimin Demokratik për Integrim) që t’i koordinojë aktivitetet për të mundësuar zbatimin e Ligjit për gjuhën shqipe. Por, nga BDI-ja kanë thënë se problemi është i karakterit teknik, për shkak të mungesës së kuadrit për përkthimin e materialeve.



Opozita shqiptare ka ftuar Bashkimin Demokratik për Integrim në pushtet, që të vihet mbi interesat partiake dhe të koordinohet me opozitën për realizimin e obligimeve ligjore rreth përdorimit të gjuhës shqipe.

Kjo kërkesë e Partisë Demokracia e Re ka ardhur pas bojkotit që dy partitë, BDI-ja dhe DR-ja, i bënë Komisionit Parlamentar të sistemit politik, për shkak se materialet e punës ishin vetëm në gjuhën maqedonase.

Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, deputetët të gjitha materialet duhet t’i marrin edhe në gjuhën shqipe, por kjo nuk zbatohet edhe një vit pas miratimit të këtij ligji.

“Mendoj se është koha e fundit që, për çështje mbipartiake, t’i vendosim disa kritere, respektivisht të vendosim një vijë të kuqe, pasi interesi i përbashkët i shtetit nuk mund të jetë vetëm i një grupi etnik. Çdo majorizim në të kaluarën ka treguar se është i dëmshëm në përgjithësi për shtetin”, ka deklaruar Sulejman Rushiti, anëtar i Kryesisë qendrore të Demokracisë së Re.

Rushiti ka shtuar se unifikimi i qëndrimeve të faktorit politik shqiptar do ta ndërgjegjësonte VMRO-DPMNE-në se është në qeverisje të një shteti multi-etnik, e jo të një etniteti apo vetëm të një partie politike.

“Është një tendencë që të na vënë neve në pozicion që gjithmonë, edhe për të drejta të arritura, madje edhe në nivelin që nuk është i mjaftueshëm, në mënyra të këtilla të protestës të kërkojmë që t'i implementojmë”, është shprehur Rushiti.

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e BDI-së, Rafis Haliti, ka thënë se rasti me përdorimin e gjuhës shqipe në Kuvend, më tepër është i karakterit teknik sesa i mosgatishmërisë së palës tjetër për ta zbatuar ligjin.

Sipas Halitit, mungesa e kuadrit të nevojshëm ka zvarritur zbatimin e kësaj norme ligjore dhe, sipas tij, pas pranimit të kuadrit adekuat, deputetët kanë filluar nga e mërkura t’i marrin të gjitha materialet edhe në gjuhën shqipe.

“Rasti i fundit në Kuvend nuk ka të bëjë me Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, por në mungesë të të punësuarve që do t’i plotësonin standardet për përkthim, kemi pasur ngecje në përkthimin e materialeve”, ka thënë nënkryetari i Kuvendit, Rafis Haliti.

Ndërkohë, sipas vlerësimeve të analistëve, situata e krijuar nuk është gjë tjetër, veçse reflektim i mënyrës së qeverisjes së partisë maqedonase në pushtet.

“Unë mendoj se është shprehje e mosgatishmërisë për t’i përmbushur disa nga nevojat e popullatës shqiptare. Unë mendoj se ishte koha e fundit që të ketë reagime më të ashpra nga partia shqiptare në pushtet”.

“Besoj se reagime të këtilla do të kemi edhe më shumë, ashtu siç ofrohet edhe mundësia e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Por, sërish e them se ky është reflektim i mënyrës së qeverisjes së VMRO-DPMNE-së”
, ka vlerësuar analisti politik, Albert Musliu.
XS
SM
MD
LG