Ndërlidhjet

logo-print

Gjatë takimit të kryeministrit Hashim Thaçi me përfaqësuesin e Komisionit Evropian, Renzo Davidi, kryeministri potencoi si sfida kryesore drejt integrimit në BE reformimin e sistemit të drejtësisë dhe luftimin e dukurive negative.



Thellimi i reformave në drejtësi dhe lufta kundër dukurive negative, si: korrupsioni, krimi i organizuar dhe keqmenaxhimi, do të mbeten prioritetet e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian, tha sot kryeministri Hashim Thaçi.

Këto komente, Thaçi i bëri pas takimit me shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, Renzo Davidi, të cilit ai ia dorëzoi përgjigjet në pyetësorin për marrëdhëniet tregtare me Bashkimin Evropian.

Përfshirja e Kosovës në marrëdhënie tregtare me BE-në, sipas Thaçit, paraqet njërin nga hapat në vijim, që e shpijnë Kosovën kah familja evropiane. Kryeministri i Kosovës u shpreh tejet optimist se tash do të pasojë edhe udhërrëfyesi i BE-së për procesin e liberalizimit të vizave.

“Në të ardhmen e afërt, Kosova pret edhe udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Kosova është gati t’i hyjë kësaj pune dhe do ta përmbyllë gjithashtu me sukses të plotë. Udhërrëfyesi do t’i shërbejë lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës”, tha Thaçi.

Komisioni Evropian çdo vit publikon edhe raporte vlerësimi për të arriturat në Kosovë. Zyrtari evropian, Renzo Davidi, tha se përmbajtja e këtij raporti do të dihet në vjeshtë.

Ndërsa mediat kanë paralajmëruar se do të jetë pikërisht luftimi i pamjaftueshëm i korrupsionit si njollë e zezë e raportit të sivjetmë, Davidi tha se lufta kundër dukurive negative duhet të kuptohet në Kosovë si një proces dhe jo si akt i largimit të një apo disa personave nga puna.

“Lufta kundër korrupsionit është një proces. Nuk është diçka ku mund të keni rezultate me ndryshimin e pozitave të një apo dy njerëzve. Ky është një proces që kërkon të bëni ndryshime të thella”, theksoi Davidi.

Ndërkaq, kryeministri Thaçi tha se të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, nuk do të kenë më vend në institucione. Ndërsa përmendi shkarkimet e fundit të drejtuesve të agjencive të shumta shtetërore, Thaçi tha se ai nuk mund të përzihet edhe në komponentin e drejtësisë.

Por, që kjo luftë kundër dukurive negative të ketë sukses, Thaçi tha se Kosovës i duhen reforma të thella, pikërisht në drejtësi.

“Pa reforma në drejtësi, nuk ka luftë të suksesshme ndaj korrupsionit. Do të vazhdojmë me qeverisje reformatore, por nuk mjafton të kemi sukses në luftë kundër korrupsionit, nëse kemi vetëm betejë politike, të cilën jam duke e zhvilluar dhe udhëhequr, pa një sistem të drejtësisë të mirëfilltë dhe të reformuar”.

“Por, nga unë mos prisni askush që të ndërhyj në sistemin e drejtësisë”
, theksoi kryeministri Thaçi.

Ndryshe, Komisioni Evropian aktualisht është edhe duke verifikuar sigurinë e lëshimit të dokumenteve personale, sidomos të pasaportave, nga institucionet e Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjeve të tjera me BE-në, si kritere të domosdoshme para se të mund të shtrohet çështja e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG