Ndërlidhjet

Sërish shtyhet


Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në njërën nga protestat e kësaj lëvizjeje.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në njërën nga protestat e kësaj lëvizjeje.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, as për të gjashtën herë me radhë, nuk është paraqitur në seancën gjyqësore kundër tij. Kryesuesi i panelit të gjykatësve, përgjegjës për këtë rast, ka shtyrë për të premten procesin gjyqësor ndaj Kurtit.



Procesi gjyqësor kundër liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shtyrë për të premten, meqë Kurti, as në seancën e sotme, nuk është paraqitur në sallën e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.

Seanca e sotme ishte e gjashta me radhë, në përpjekje për të nisur shqyrtimin e akuzave ndaj Kurtit për “pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale, pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues”.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, pas përfundimit të seancës së sotme gjyqësore, ripërsëriti se procesi ndaj Kurtit është proces i motivuar politikisht.

“Edhe në seancën e gjashtë me radhë, EULEX-i dështoi në sigurimin e bashkëpunëtorit për vazhdimin e procesit gjyqësor, por me prapavijë politike, ndaj Albin Kurtit. Edhe avokati i tretë me radhë që kur EULEX-i ka marrë rastin, dha dorëheqje”, tha Konjufca.

Lidhur me arrestimin e Kurtit, Konjufca tha se lideri i tyre nuk është fshehur e as nuk do të fshihet, pasi që tërë kohën është në Kosovë.

“Jo, nuk fshihet Kurti. Ai po vazhdon aktivitetin e tij. Sot është në Viti, pasdite do të jetë në Gjilan, duke kryer aktivitetet e tij”, u shpreh Konjufca.

Zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes, tha se gjykatësi përgjegjës për këtë rast, ka lëshuar një vendim të ri për arrestimin e Kurtit dhe sjelljen e tij para gjykatës. Ajo theksoi se Policia e Kosovës do të jetë përgjegjëse për ta arrestuar Kurtin dhe jo ajo e EULEX-it.

Mirëpo, Herodes nuk përjashtoi mundësinë që edhe Polica e EULEX-it, në rast të kërkesës, ta ndihmojë policinë kosovare në procesin e kërkimeve të Albin Kurtit.

Ndërkaq, gjykatësi ndërkombëtar, Ferdinando de Mongot, gjatë seancës, refuzoi kërkesën e avokatit mbrojtës të Kurtit, Avni Gjakova, që të ndërrohet trupi gjykues. Pas refuzimit të kërkesës, avokati Gjakova dha dorëheqje, duke thënë se nuk ka vend për të në këtë proces gjyqësor.

Kryesuesi i panelit të gjykatësve, pas dorëheqjes së avokatit mbrojtës të Kurit, Avni Gjakovës, ka vendosur që Musa Dragusha ta mbrojë Kurtin tash e tutje. Por, Dragusha, i cili është edhe kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), pati deklaruar se pozita që ai mban, e bën të pamundur mbrojtjen e Kurtit.
XS
SM
MD
LG