Ndërlidhjet

Kaos ajror në Evropë

  • RFE /RL

Pamje në aeroport

Pamje në aeroport



Hapësira ajrore nga Britania deri në vendet Baltike, si dhe në jug deri në Rumani, Kosovë dhe Shqipëri, është mbyllur plotësisht ose pjesërisht, mijëra fluturime janë anuluar, kurse bota sheh e shqetësuar përhapjen e hirit vullkanik nga Islanda.

Zyrtarët e kontrollit të fluturimeve kanë paralajmëruar se çrregullimet nga reja e madhe e hirit vullkanik pritet të zgjasin edhe gjatë ditës së shtunë, ndërsa operimet normale të aeroplanëve mund të vazhdojnë pas disa ditëve.

Zyrtarë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kanë bërë të ditur se të gjitha fluturimet e parapara për ditën e shtunë, janë anuluar, si pasojë e reve të hirit vullkanik, të shkaktuara nga një vullkan në Islandë.

Drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pas mbylljes së aeroporteve në shtetet, ku ishin paraparë fluturimet për të shtunën, si Zvicra,Gjermania, Sllovenia etj, janë anuluar për shkak se aeroportet e tyre nuk janë në funksion.

Mustafa ka thënë se në bazë të informacioneve të para nuk priten fluturime brenda 18 orëve të ardhshme. Sipas tij, humbjet që i janë shkaktuar ANP-së, vetëm gjatë ditës së sotme, janë qindra mijëra euro.

Kaosi i trafikut ajror për shkak të reve të hirit vullkanik nga shpërthimi i vullkanit në jug të Islandës, i cili ka përfshirë gati gjysmën e Evropës, ka prekur dhe Shqipërinë.

Zyrtarë nga aeroporti “Nënë Tereza”, në Tiranë, kanë bërë të ditur se sërish të shtunën janë anuluar fluturimet drejt Vjenës në Austri, Budapestit në Hungari, aeroportit të Londrës në Britani, aeroportit të Mynihut, Shtutgardit e Frankfurtit në Gjermani, dhe Milanos, Bolonjës e Trevizos në Itali.

Gjithashtu, zyrtarë nga aeroporti kanë konfirmuar se anulimi i fluturimeve do të bëhet deri në një njoftim të dytë.

Edhe gjatë ditës së premte disa fluturime ishin pezulluar për shkak të resë së hirit që ka mbuluar thuajse gjithë qiellin evropian.





Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, të shtunën gjithashtu janë anuluar fluturimet, përveç atij për në Stamboll.

Anulimet janë bërë për destinacionet Budapest, Cyrih, Vjenë, Lubjanë, Podgoricë dhe Dyzeldorf.

Ndërkohë, mijëra udhëtarë kanë mbetur nëpër aeroporte dhe presin të arrijnë në destinacionet e tyre.

Zyrtarët e kontrollit të trafikut ajror kanë thënë se të premten, rreth 16,000 fluturime në hapësirën ajrore evropiane, apo dy të tretat e fluturimeve në Evropë, janë anuluar për shkak të hirit që vazhdon të dalë nga vullkani në Islandë.

Shumica e aeroporteve në Britani, Francë dhe Gjermani kanë mbetur të mbyllura. Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka thënë se ua ka ndërruar drejtimin shumë fluturimeve, përfshirë atyre që bartin personelin e plagosur nga Afganistani dhe Iraku.

Asociacioni Ndërkombëtar i Transportit Ajror, IATA, ka vlerësuar se humbjet nga anulimet e fluturimeve, kapin shumën prej mbi 200 milionë dollarësh në ditë. (v.p.)



XS
SM
MD
LG