Ndërlidhjet

Obama: Në Mars deri në 2030-ën



Presidenti amerikan, Barak Obama, i shpalli planet e reja për eksplorimin amerikan të gjithësisë, duke thënë se duhet të jetë e mundshme që brenda 30 vjetëve të dërgohen astronautët në orbitën e Marsit.

Në një fjalim në Qendrën Kozmike Kenedi në Floridë, Obama tha se ai paramendon se astronautët amerikanë po e bëjnë udhëtimin e parë të gjatë me anije kozmike mbi një asteroid.

Obama tha se beson që deri nga vitet e 2030-ta, njerëzit do të mund të dërgohen në orbitën e Marsit dhe të kthehen të sigurt në Tokë.

Pas kësaj, ai parashikoi se astronautët do të mund të zbresin në planetin e kuq.

“Deri nga mesi i viteve 2030, besoj se do të mund të dërgojmë njerëz në orbitë rreth Marsit dhe pastaj t’i kthejmë të sigurt në Tokë. Pastaj, do të vijë zbritja në Mars dhe besoj se do të mund ta shoh”, tha Obama.

Sipas planit të tij, agjencia amerikane e hapësirës, NASA, deri në vitin 2015 do ta finalizojë projektin për raketën e re, që do të jetë në gjendje të mundësojë eksplorim më ambicioz të gjithësisë.

Gjithashtu është planifikuar edhe misioni i parë mbi një asteroid dhe 6 miliardë dollarë fonde të tjera për NASA-n, që të zhvillojë teknologji të reja.

Fondet gjithashtu do të përdoren për ta zgjatur jetën e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës deri në vitin 2020, të dërgohen misione eksploruese me robot dhe të rriten ditët e qëndrimit të astronautëve në gjithësi.

Më herët, në fillim të vitit, Obama e anuloi programin “Constellation”, i cili u vu në jetë nga paraardhësi i tij, Xhorxh Bush, për t’i dërguar astronautët në Hënë.

Anijet e reja kozmike “Constellation” gjithashtu duhej të zëvendësonin flotën ekzistuese Shatëll, e cila është para tërheqjes për shkak të vjetërsisë.

Sipas planit të ri, NASA do të mbështetet në kompanitë private aeronautike për dërgimin e astronautëve, derisa të dizajnohet dhe testohet teknologjia e re.

Por, përpara se Obama ta shpallte agjendën e re për programin hapësinor, kritikët pohonin se Amerika do t’ia linte epërsinë kozmike Rusisë apo Kinës.

Në një letër të hapur, disa astronautë i kundërshtuan ndryshimet. Ndër nënshkruesit ishte edhe Nil Armstrong, njeriu i parë që shkeli në Hënë.

Letra e quan “shkatërrues” vendimin e Obamës për t’i hequr misionet në Hënë dhe pohon se në bazë të agjendës së re të hapësirës, “SHBA-të me gjasë mund të marrin tatëpjetën” në këtë fushë.

Por, ka edhe ekspertë të tjerë, të cilët thonë se kritikat ndaj planit të Obamës i përfaqësojnë pikëpamjet e vjetruara të programit amerikan të hapësirës. (v.p.)
XS
SM
MD
LG