Ndërlidhjet

logo-print

Edhe një shtyrje...


Albin Kurti në njërin nga aksionet e Lëvizjes Vetëvendosje.

Albin Kurti në njërin nga aksionet e Lëvizjes Vetëvendosje.

Procesi gjyqësor kundër udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shtyrë për datën 19 prill, meqë Kurti, as në seancën e së premtes, nuk është paraqitur në sallën e Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Në seancë, gjithashtu, ka munguar dhe avokati mbrojtës i Albin Kurtit.






Seanca gjyqësore kundër udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shtyrë për datën 19 prill, për shkak të mungesës së Kurtit në seancë dhe avokatit të tij mbrojtës.

Zëdhënësja e komponentit të drejtësisë në EULEX, Kristina Herodes, shpjegoi arsyet e shtyrjes së seancës:

Mund t’ju them se procesi gjyqësor ndaj Albin Kurtit është shtyrë deri të hënën. Arsyeja e shtyrjes është se Albin Kurti nuk ka qenë në seancë dhe ai ende nuk është arrestuar nga policia. Gjithashtu, edhe avokati mbrojtës i caktuar nuk ishte prezent. Hapi i ardhshëm do të jetë bërja e një fletarrestimi të ri dhe materiali për masat disiplinore do t’i përcillet edhe Odës së Avokatëve të Kosovës”.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, përshëndeti vendimin refuzues të kryetarit të Avokatëve të Kosovës, Musa Dragusha, për të mbrojtur Albin Kurtin në procesin gjyqësor.

“Ne e përshëndesim këtë akt të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe bëj thirrje që një shembull i tillë të përcillet nga të gjithë avokatët e tjerë të Kosovës”
, u shpreh Konjufca.

Konjufca tha se EULEX-i po bën trysni të qëllimshme te të gjithë avokatët e Kosovës, në mënyrë që, siç tha ai, ta humbë integritetin moral të avokatëve.

“Në këtë mënyrë, EULEX-i qëllimisht po sulmon integritetin moral të avokatëve dhe dinjitetin e tyre profesional, sepse Musa Dragusha, më herët, ka thënë se nuk vjen në seancë dhe ata qëllimisht e kanë caktuar Musa Dragushën. Pra, ky është EULEX-i, i cili e cakton avokat qëllimisht atë që ka refuzuar, duke dashur që ta shkatërrojë dinjitetin moral dhe integritetin profesional të avokatëve të Kosovës”, deklaroi Konjufca.

Në procesin gjyqësor kundër udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje, që nga seanca e parë, vazhdon të jetë i pranishëm prokurori Ali Rexha. Konjufca i bëri thirrje atij në emër të, siç tha, qytetarëve që kanë nënshkruar peticionin kundër procesit gjyqësor ndaj Kurtit, që të mos qëndrojë prapa aktakuzës së ngritur nga EULEX-i për rastin Kurti.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe të gjithë ata qytetarë që e kanë nënshkruar peticionin, i bëjnë thirrje Ali Rexhës që të mos qëndrojë prapa aktakuzës së EULEX-it”
, tha Konjufca.

Autoritetet kanë lëshuar fletarrestimin për ta sjellë Albin Kurtin në gjykatë, por, deri tash, kjo nuk ka ndodhur.

Seanca e sotme ishte e shtata me radhë në përpjekje për ta përballur Albin Kurtin me akuzat “për pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale, për pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues”.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG