Ndërlidhjet

logo-print

Kosova rrezikon të humbë miliona euro


Pamje nga Konferenca e Donatorëve për Kosovën, që u mbajt në Bruksel. Korrik, 2008.

Pamje nga Konferenca e Donatorëve për Kosovën, që u mbajt në Bruksel. Korrik, 2008.

Kosova rrezikon të humbë një fond domethënës, vetëm në fazën e parë prej 50 milionë eurosh, të cilat nuk mund t’i ndahen asaj pa marrëveshje paraprake me FMN-në, tha Kjarton Bjornson, drejtor operativ i Komisionit Evropian.



Komisioni Evropian paralajmëroi Kosovën se po rrezikon të humbë miliona euro, për shkak të mosnënshkrimit të marrëveshjeve me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Kjo u bë e ditur gjatë takimit të dytë të Forumit të Nivelit të Lartë, të organizuar nga Ministria për Integrime, e ku marrin pjesë struktura qeveritare vendore dhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

Në këtë forum diskutohen dhe shqyrtohen shpenzimet e 1.2 miliard eurove, të zotuara për Kosovën në Konferencën e Donatorëve, të mbajtur në Bruksel, në vitin 2008.

Drejtori operativ i Komisionit Evropian, Kjartan Bjornson, tha se mosnënshkrimi i marrëveshjeve me FMN-në, po rrezikon qysh në start me humbjen e një shume prej 50 milionë eurosh, të destinuara për Kosovën.

“Ne po rrezikojmë të humbim një fond domethënës, në fazën e parë 50 milionë euro, të cilat nuk mund t’i ndahen Kosovës pa marrëveshje paraprake me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, tha Bjornson.

Ai e inkurajoi Qeverinë e Kosovës të angazhohet në nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, në mënyrë që mjetet e zotuara për Kosovën të mos kthehen prapa.

Në anën tjetër, udhëheqësit kosovarë ia kanë mveshur përgjegjësinë për këto marrëveshje Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Kjo e fundit nuk ka dalë me asnjë sqarim zyrtar se pse nuk janë nënshkruar këto marrëveshje, që rrezikojnë me humbjen e miliona eurove, të destinuara për Kosovën.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi i siguroi vendet donatore të zhvillimit ekonomik të shtetit të Kosovës, se shpenzimi i këtyre mjeteve do të jetë transparent dhe në funksion të zhvillimit të reformave, që do ta drejtojnë vendin kah integrimet evropiane.

“Si konkluzion i Forumit të Nivelit të Lartë, jemi dakorduar bashkërisht që transparenca e donacioneve është e një rëndësie të veçantë. Si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, dëshiroj të ritheksoj përkushtimin tonë për të proceduar me reformat e gjithanshme, në të mirë të qytetarëve të Kosovës, me perspektivë të sigurt për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Thaçi.

Kosova edhe sot ka nevojë për mbështetjen dhe ndihmën ndërkombëtare për t’i përballuar të gjitha sfidat, u shpreh Thaçi.

Pas Bashkimit Evropian, si donatorët më të mëdhenj për Kosovën renditen: SHBA-të me mbi 400 milionë dollarë, Gjermania me 100 milionë euro, si dhe Norvegjia, Britania e Madhe dhe Luksemburgu me nga 30, përkatësisht 15 milionë euro.

Në emër të zotimeve amerikane, Patricia Rider, drejtoreshë e USAID-it në Kosovë, tha se Qeveria amerikane mbetet e përkushtuar ta ndihmojë financiarisht zhvillimin e Kosovës. Por, ajo kërkoi edhe vazhdimin e projekteve të nisura nga Qeveria vendore.

“Ne presim që të ketë një përfundim të suksesshëm të koncesionimit të Aeroportit të Prishtinës deri në fund të muajit”, tha Patricia Rider, duke inkurajuar Qeverinë edhe në zhvillimin e reformave.

Ndryshe, Komisioni Evropian, përmes Kjartan Bjornsonit, i ka bërë me dije Qeverisë, se për të vazhduar drejt integrimeve evropiane, Kosova duhet të fillojë reformimin e administratës publike, si dhe të tregohet sa më transparente në shfrytëzimin e donacioneve të BE-së.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG