Ndërlidhjet

logo-print

Gjendja e ujit të pijshëm në Kosovë vlerësohet të jetë në nivel jo të kënaqshëm, thonë zyrtarë institucionalë.

Ilir Morina, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, thotë se popullata ka qasje 70 për qind në ujësjellës publik, derisa pjesa tjetër shërbehen me puse.


Por, sipas tij, këto puse nuk janë nën kontroll, sa i përket përmbajtjes së ujit në to dhe nivelit të pastërtisë.

“Nga Instituti i Shëndetit vijnë shumë të dhëna për një numër shumë të madh të njerëzve të infektuar, infeksion që rrjedh drejtpërdrejt nga uji. Kosova nuk ka ende ndonjë impiant për ujëra të zeza”.


“Pritet ndonjë donacion, sepse është kosto shumë e madhe. Kosova ka pasur një shkallë shumë më të ulët të ujësjellësit dhe nuk ka mundësi të kyçen të gjithë në rrjet, dhe ky 30 për qindësh mbetet në këtë gjendje që është, derisa të bëhet një zgjidhje”,
thotë Morina.

Sipas Morinës, edhe liqenet që janë ndërtuar për ujë të pijes, janë të atakuara nga ujërat fekale të shtëpive ose fshatrave përreth, e sidomos restoranteve. Zoti Morina shton se këto të dhëna tregojnë se cilësia e ujit në përgjithësi është mjaft e dobët.

Në anën tjetër, Burbuqe Nushi, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, thotë se e monitorojnë sistemin qendror të ujit në bazë ditore.

Sipas saj, rezulton se 75 për qind e ujit ka ndotje bakterore, derisa 30 për qind rezulton me origjinë të fekaleve.

“Te uji urban, në përgjithësi, gjendja është e kënaqshme, por kemi telashe në disa komuna, si: Klina, Hani i Elezit, Skënderaj etj. Nga regjioni rural vijnë telashe nga ata që nuk janë të kyçur në sistem qendror të furnizimit me ujë, sepse ndonjëherë ndotja bakterore shkon deri në 75 për qind, derisa 30 për qind me origjinë të fekaleve”,
shpjegon Nushi.

Nushi shton se kjo ndodh për shkak se puset nga furnizohen me ujë të pijshëm, janë të pambrojtur, janë të cekët, si dhe të pa menaxhuar. Ndërsa, në Kosovë mungon një laborator i akredituar që bën matjen e ujit, e që do të dihej saktë se çfarë uji pinë qytetarët e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG