Ndërlidhjet

Kërkohet heqja e balotazhit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Mundësia e heqjes së balotazhit nga legjislacioni aktual zgjedhor duhet të shqyrtohet në kuadër të reformave zgjedhore në Kosovë, shkaku i shpenzimeve nga buxheti vendor, thonë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë. Ekspertët vlerësojnë se, përveç aspektit financiar, balotazhet e zhvilluara në kuadër të zgjedhjeve lokale në Kosovë, kanë ndikuar edhe në efikasitetin e procesit elektoral.


Përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë dhe njohës të procesit elektoral, thonë se në kuadër të reformave të zgjedhore në vend, duhet të shqyrtohet edhe heqja e balotazhit nga legjislacioni ekzistues për zgjedhje.

Pas raundit të zakonshëm të zgjedhjeve lokale në Kosovë, në dhjetor të vitit që shkoi u zhvillua balotazhi në 21 komuna.

Pas evidentimit të parregullsive gjatë procesit elektoral, balotazhi ishte përsëritur pastaj në Gjilan, Prizren, Lipjan, ndërsa pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Istog, u mor vendimi që edhe në këtë komunë do të ketë një cikël të dytë zgjedhjesh.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e partisë Aleanca Kosova e Re, Fadil Maloku, thotë se për shkak të zhvillimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në disa komuna, Kosova ka bërë shpenzime të paarsyeshme.

“Rasti i fundit, i Istogut, ku ishin kandidati i njërës parti politike me 49.34 për qind, kurse tjetri 21 për qind, ishte një distancë goxha e madhe. Ligji ua mundëson që të shkojnë në balotazh, por që të shkohet në balotazh në një komunë ku ka rreth 15 mijë votues potencialë, shpenzimet sillen nga 180 mijë deri në 200 mijë euro”,
thotë Maloku.

Kohë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë i kishte kërkuar Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave një buxhet shtesë prej afro 460 mijë eurosh, për organizimin e zgjedhjeve në Istog dhe në komunën e re të Parteshit.

KQZ-ja ende nuk e ka bërë publike pasqyrën e shpenzimeve për zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, për shkak të, siç thuhet, kohës së nevojshme për analizimin e këtij procesi.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Burjani, shprehet në favor të heqjes së balotazhit nga Ligji për zgjedhjet.

“Është një problem jashtëzakonisht serioz dhe bëhen shpenzime të mëdha për raundin e dytë, prandaj duhet të gjenden zgjidhje të tjera ligjore që të mund të kapërcehen situatat që janë në gjendje kaotike”
, thotë Burjani.

Pavarësisht kërkesës së kryetares së KQZ-së, që në kuadër të bisedimeve për reforma zgjedhore në Kosovë, të përfshihet edhe ky institucion, përfaqësues të KQZ-së nga radhët e partive në pushtet, hezitojnë të komentojnë mundësinë e heqjes së balotazhit, duke thënë se për këtë gjë duhet të merret një vendim në nivel politik.

Ish-kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Mazllum Baraliu, thotë se përveç shpenzimeve në aspektin financiar, balotazhi ka ndikuar edhe në lodhjen e elektoratit dhe në efektivitetin e procesit zgjedhor lokal.

“Faktori i dytë ka të bëjë me çështjen e racionalitetit dhe të efektivitetit. Do të thotë, sa është e rëndësishme që një muaj pas zgjedhjeve të ketë një cikël tjetër, që të ketë një vonesë prej një muaji, që të ketë shpenzime dhe që të ketë mungesë të funksionalizimit të institucioneve. Një muaj nuk është pak
”, thekson Baraliu.

Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë kanë kërkuar që sa më shpejt të nisë një proces i reformave legjislative që do të përfundonte para procesit të votimeve në 2011-ën.

Përveç shqyrtimit të heqjes së balotazhit dhe qartësimit të përgjegjësive të autoriteteve kompetente të administrimit të procesit zgjedhor në Kosovë, ka tendenca që të shqyrtohet edhe ideja për ndryshimin e sistemit elektoral në vend.
XS
SM
MD
LG