Ndërlidhjet

logo-print

SHBA: Ekipi Obama përgatitet për të gjitha opsionet ndaj Iranit


Departamenti amerikan i mbrojtjes thotë se sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gejts, beson se presidenti Barak Obama dhe ekipi i tij për sigurinë kombëtare, “e kanë kaluar një kohë të gjatë në përpjekje për shqyrtimin dhe përgatitjen për një spektër të plotë të mundësive”, lidhur me programin bërthamor të Iranit.

Njoftimi nga zëdhënësi i Pentagonit, Xhef Morrell, ishte publikuar si përgjigjje ndaj raportit të së përditshmes Nju Jork Tajms, se zyrtarë të administratës Obama kanë filluar të shqyrtojnë opsione të reja, përfshirë edhe alternativat potenciale ushtarake, për mënyrën se si të trajtohet programi bërthamor i Iranit.

Gazeta, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar të qeverisë, kishte raportuar se sekretari Gejts, nëpërmjet të një memorandumi sekret në Shtëpinë e Bardhë, kishte tërhequr vërejtjen se Shteteve të Bashkuara u mungon “politika efektive afatgjate, derisa Irani në mënyrë të qëndrueshme ka progres drejt kapacitetit atomik”.

Në raport thuhet se memorandumi, i dërguar në muajin janar, kishte ndikuar në përpjekjet për zhvillimin e opsioneve të reja, përfshirë edhe përdorimin potencial të ushtrisë, që mund të diskutohej, nëse diplomacia dhe sanksionet dështojnë ta bindin Iranin, që ta ndalë zhvillimin bërthamor.

Agjencia AP raportoi se zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Benxhamin Rods, ka thënë se administrata “i kishte planifikuar të gjitha mundësitë lidhur me Iranin, për shumë muaj”, dhe se memorandumi aktual nuk ka çuar në “rivlerësim” të opsioneve.
XS
SM
MD
LG