Ndërlidhjet

Aeroporti i Prishtinës pezullon fluturimet


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Ngjashëm si me pjesën më të madhe të Evropës, edhe në Kosovë është pezulluar trafiku ajror. Drejtuesit e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kanë konfirmuar se nga mesnata nuk kishte asnjë fluturim. Kurse nga ora 14:00, ANP-ja është hapur vetëm për pranim.


Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është mbyllur për qarkullim që nga mesnata, për shkak të çrregullimit të trafikut ajror në Evropë. Lajmi është konfirmuar nga drejtuesit e Aeroportit.

Vendimi fillestar ishte që të pezullohen të gjitha fluturimet deri në ora 14:00. Siç ka njoftuar zëdhënësi i Aeroportit, Altin Ahmeti, pas orës 14:00, Aeroporti është rihapur, por vetëm për pranimin e lëshimeve nga aeroportet tjera.

Kurse, rinisja e fluturimeve nga Prishtina, qofshin ato edhe të pjesshme, varen nga kthimi në funksion i aeroporteve ndërkombëtare, kryesisht atyre ku ka më shumë linja me Kosovën, si Gjermania, Suedia, Zvicra e Britania e Madhe.

“Aeroporti i Prishtinës më shumë varet nga fakti se a janë të hapura aeroportet tjera nga ku janë më shumë destinacionet, si Gjermania, Zvicra apo edhe shtetet tjera perëndimore. Në momentin që ato aeroporte do të jenë të hapura, edhe ne do të rifillojmë fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, sepse ne nuk jemi të përfshirë direkt siç janë shtetet tjera të përfshira nga reja vullkanike”, ka deklaruar Ahmeti.

Zëdhënësi Ahmeti nuk e ka përjashtuar mundësinë që ditëve në vijim të hapen disa vija të qarkullimit ajror me zonat e paprekura nga hiri vullkanik. Sidoqoftë, ai ka thënë se vendimi do të koordinohet edhe me trafikun ajror ndërkombëtar.

“Është e mundur që transporti ajror midis shteteve të rajonit të funksionojë ditëve në vijim, sidomos me Shqipërinë, Turqinë apo edhe shtetet tjera që nuk janë të përfshira në mënyrë të drejtpërdrejtë”, ka theksuar Ahmeti.

Ndërkohë, siç ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik, edhe pse ishte paralajmëruar se hiri vullkanik mund të prekë edhe Kosovën, një gjë e tillë thuhet se nuk ka ndodhur si rezultat i erës, e cila gjatë ditës ka fryrë nga ana e jugut.

Ky informacion është konfirmuar edhe nga zëdhënësi Altin Ahmeti.

“Reja vullkanike ishte nisur në drejtim të Kosovës, por fatmirësisht nuk ka hyrë mbi territorin e Kosovës, por vetëm i është afruar shumë territorit”,
ka thënë Ahmeti.

Drejtuesit e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës u kanë bërë thirrje pasagjerëve që për fluturimet e parapara, por të anuluara, t’i kontaktojnë avio-kompanitë, në mënyrë që të informohen për kohën e mundshme të nisjes së trafikut ajror, duke u bërë thirrje atyre që të mos ia mësyjnë fare Aeroportit
.
Trafiku ajror në pjesën më të madhe të Evropës, është paralizuar për shkak të mjegullës masive të hirit vullkanik nga Islanda.
XS
SM
MD
LG