Ndërlidhjet

Kufiri me Shqipërinë në përgjegjësi të Policisë së Kosovës



KFOR-i do t’ia transferojë Policisë së Kosovës përgjegjësitë për kontrollin e kufirit me Shqipërinë. Lajmi u bë i ditur nga komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler pas takimit të zhvilluar me komandantin e krahut jugor të NATO-së, admiralin amerikan, Mark Ficxherald, i cili po qëndron sot në Kosovë.

Ceremonia e dorëzimit të këtyre përgjegjësive tek policia vendore do të ndodhë më 28 prill, konfirmuan drejtuesit e forcës paqeruajtëse.

Zyrtari i lartë i NATO-s, admirali Ficxherald, tha se përmirësimi i situatës së sigurisë në Kosovë, ka mundësuar bartjen e përgjegjësive të caktuara tek autoritetet vendore të sigurisë.

“Ky është një tregues që dëshmon për gjendjen e mirë sigurisë në Kosovë dhe se këtë duhet nënkuptuar si një zhvillim pozitive”,
tha admirali Ficxherald.

Në këtë kuadër, komandanti i KFOR-it, Markus Bentler i transmetoi vendimin admiralit Ficxherald se KFOR-i po planifikon bartjen e përgjegjësive tek autoritet kosovare të sigurisë fillimisht në kufirin e Kosovës me Shqipërinë e më vonë edhe në kufijtë me Maqedoninë e Malin e Zi.

“Kjo do të bëhet hapa pas hapi dhe do të ketë një vlerësim të kujdesshëm. Bartja e kompetencave do të bëhet për vijën kufitare me Shqipërinë me 28 prill. Ne do të vazhdojmë edhe me kufijtë e tjerë, por paraprakisht do të bëhet vlerësimi për secilin rast”, tha gjenerali Bentler.

Ndërsa po vazhdojnë shkurtimet dhe ristrukturimi i KFOR-it në Kosovë, kjo forcë ka bartur përgjegjësitë tek Policia e Kosovës edhe në ruajtjen e objekteve fetare.

Gjatë qëndrimit në Kosovë admirali amerikan është takuar me drejtues të EULEX-it si dhe ka vizituar pikën kufitare Porta 1 që ndodhet në kufi me Serbinë, si dhe kanë përcjellë një stërvitje të FSK-së në Obiliq.

Admirali Ficxherald u shpreh i kënaqur edhe me përparimin që po shënon Forca e Sigurisë së Kosovës.

Së bashku me admiralin Ficxherald ishte planifikuar që Kosovën ta vizitojnë edhe drejtues të Komitetit Ushtarak të NATO-së por vizita u anulua për shkak të problemeve që janë krijuar me trafikun ajror në Evropë.

Admirali Ficxherald herën e fundit në Kosovë ishte më 19 mars, me ç'rast pati vlerësuar lart dorëzimin e përgjegjësive nga KFOR-i te Policia e Kosovës për ruajtjen e monumentit në Gazimestan.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG