Ndërlidhjet

Bashkimi Evropian tha se nuk mund të bëjë kompromis me sigurinë e udhëtarëve në kohën kur kriza e trafikut ajror është përkeqësuar për shkak të hirit vullkanik.

Komisioneri i Transportit i BE-së, Siim Kallas tha se vendimet duhen marrë mbi provat e sigurta.

Nuk mund të ketë kurrfarë kompromisi mbi sigurinë. Puna duhet të bazohet në prova shkencore, dhe ne duhet t’i përshpejtojmë zgjidhjet evropiane nëse duam të gjejmë ndonjë zgjidhje për të shkuar përpara”, tha Kallas.

Shumica e hapësirës ajrore evropiane, sot mbeti e mbyllur për të pestën ditë me radhë, për shkak të kërcënimeve nga hiri i shpërndarë nga vullkani Ejafjalokull në Islandë.

Mbyllja e aeroporteve e çrregulloi trafikun ajror në mbarë botën, duke lënë miliona udhëtarë në pritje.

Asociacioni Ndërkombëtar i Transportit Ajror (IATA), e kritikoi përgjigjen e Evropës ndaj krizës, dhe bëri thirrje për hapa urgjentë për të rihapur hapësirën ajrore.

Ndërkohë, Komisioneri për Konkurencën i BE-së, Zhoakim Almunia tha se kompanitë evropiane që janë goditur nga kriza mund të pranojnë ndihma nga shteti.

IATA thotë se mbyllja u kushton aviokompanive 250 milionë dollarë në ditë.

Kompanitë e mëdha ajrore thonë se kanë kryer fluturime testuese dhe nuk kanë gjetur dëmtime nga hiri vullkanik.

Agjencia Evropiane e kontrollit të trafikut ajror tha se 63 mijë fluturime janë anuluar prej 15 prillit. Brajan Flin është zëvendës drejtor i agjencisë.

Përafërisht 50 % e sipërfaqes në Evropë ndodhet jashtë rrezikut nga reja e hirit vullkanik. Kjo na bën të mundur të hapim një numër aeroportesh dhe zonash ajrore. Vlerësimi ynë është se për momentin, 30 % deri 35 % e fluturimeve do të mund të jenë në gjendje të operojnë”, tha Flin.

Për udhëtarët, afaristët dhe tregjet financiare, njëri nga problemet më të mëdha është pa-parashikueshmëria e situatës.

Megjithate, një zyrtar i lartë i paemëruar amerikan tha sot se grimcat e qelqit nga shpërthimi vullkanik në Islandë është gjetur në morotin e një aeroplani luftarak F-16.

Autoritetet evropiane të kontrollit të aviacionit thonë se afro 80% e hapësirës ajrore evropiane, në më tepër se 20 vende, ishte e mbyllur gjatë ditës së djeshme, me ç’rast janë realizuar vetëm afro 5 mijë, prej 24 mijë fluturimeve, në situata normale.(v.p.)



Fotogaleri: Kriza ajrore!

Të ndërlidhura

XS
SM
MD
LG