Ndërlidhjet

logo-print

Procesi gjyqësor kundër udhëheqësit të lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti, është shtyrë sërish, kësaj radhe për datën 28 prill. Në seancën e tetë me radhë, nuk ishin të pranishëm as Kurti dhe as avokati i tij mbrojtës.





Për të tetën herë me radhë, seanca gjyqësore kundër liderit të lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, është shtyrë.

Data e ardhshme është caktuar 28 prilli dhe shtyrja është bërë për shkak të mungesës së zotit Kurti në seancë dhe avokatit të tij mbrojtës. Zëdhënësja e komponentit të drejtësisë në EULEX, Kristina Herodes, thotë se edhe kësaj radhe seanca është shtyre në mungesë të të gjitha palëve...

Policia e Kosovës, nuk ka mundur të arrestojë zotin Kurti për ta sjellë përpara trupit gjykues. Gjithashtu edhe avokati mbrojtës nuk ka qenë i pranishëm”, tha Herodes, duke shtuar se avokatët edhe njëherë shkelën detyrën e tyre zyrtare.

Ajo tha se do të shikohen mundësitë për të berë edhe një urdhër-arrest të ri.

Ndërkohë, një komunikatë për media, EULEX-i ka kritikuar institucionet vendore për rastin Kurti.

"Të metat që janë duke u dalë në pah gjatë këtij gjykimi, fatkeqësisht i tregojnë dobësitë e vazhdueshme të cilat duhet të adresohen në kuadër të institucioneve vendase të sundimit të ligjit, ashtu që Kosova t’i arrijë standardet evropiane", thuhet në komunikatë.

Nga ana tjetër, anëtari i lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, ka dënuar, siç thotë ai, trysninë e vazhdueshme të EULEX-it në drejtim të avokatëve dhe Policisë se Kosovës për arrestimin e Albin Kurtit

“Lëvizja Vetëvendosje dënon trysninë e vazhdueshme të EULEX-it mbi Policinë e Kosovës dhe mbi avokatët që të bëhen pjesë e këtij gjyqi politik. Kryesuesi i panelit të EULEX-it De Mongot e akuzoi Policinë e Kosovës si të paaftë. Lëvizja ‘Vetëvendosje’ nuk e konsideron si të paaftë, ajo mendon që Policia e Kosovës nuk e ka pasur vullnetin ta arrestojë Albin Kurtin”, deklaroi Konjufca.

Prokurori Ali Rexha, i cili është i caktuar për pjesëmarrje në procesin gjyqësor të rastit Kurti, ka hequr dorë nga pika e tretë e aktakuzës, që ka të bëjë me thirrjen për rezistencë.

Përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje” e kanë përshëndetur qëndrimin e prokurorit.

Në seancën e sotme prokurori i çështjes Ali Rexha mohoi njërën prej tri akuzave, ne e mirëpresim ketë hedhje poshtë të njërës prej tri akuzave, por e inkurajojmë prokurorin, ashtu siç i kemi bërë thirrje edhe më herët, që ta hedhë poshtë të gjithë aktakuzën që përmban këto tri akuza kundër Albin Kurtit”.

Ne mendojmë se ai e ka gjetur guximin që të fillojë hedhjen poshtë të akuzave një pas një. E inkurajojmë atë që të vazhdojë në këtë mënyrë”, u shpreh Konjufca.

Procesin gjyqësor ndaj liderit të lëvizjes "Vetëvendosje" disa ekspertë të drejtësisë e konsiderojnë si një proces me prapavijë politike. Profesori i së drejtës penale në Universitetin e Prishtinës, Ismet Salihu thotë se EULEX-i duhet te merret me raste të tjera të veprave penale e jo me rastin Kurti.

Kjo është një ironi e terë kësaj osidejade që është shndërruar në këtë rast, për shkak se EULEX-i ka në dosjet e veta me dhjetëra raste të krimit të organizuar, të vrasjeve, uzurpimeve, posaçërisht të korrupsionit dhe ato presin me muaj të terë".

"Tash bëhet një vit e sa dhe ato nuk janë aktualizuar dhe nuk janë proceduar. Ndërsa rasti Kurti del në sipërfaqe dhe merr prioritet. Kjo është e paarsyeshme
”, tha Salihu.

Për ekspertin Salihu shumë çështje të rëndësishme gjyqësore, të cilat kërkojnë zgjidhje të shpejtë nga ana e sistemit të drejtësisë, nuk zgjidhen. Kësisoji, rasti Kurti, sipas tij flet për shkelje të procedurave ligjore.

"Në aspektin e thjeshtë juridik penal dhe duke u bazuar në Kodin Penal dhe të Procedurës Penale, këto shtyrje të njëpasnjëshme, deri tash tetë shtyrje- nuk janë të arsyeshme. Kjo tregon edhe mungesën e legalitetit të ligjshmërisë dhe legjitimitetit të kësaj procedure penale ndaj liderit të lëvizjes 'Vetëvendosje' Albin Kurti”, tha Salihu.

Kurti akuzohet “për pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale, për pjesëmarrje në një grup, që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues”.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG