Ndërlidhjet

Parimi i Badinterit në Gjykatën Kushtetuese?



Pas kryeministrit Nikolla Gruevski, edhe lideri i opozitës, Branko Cërvenkovski doli kundër kërkesës së partive shqiptare për aplikimin e votimit të dyfisht në Gjykatën kushtetuese.

Partitë maqedonase thonë se kërkesa e tillë mund të aplikohet vetëm në institucionet politike.

Por, partitë shqiptare nuk heqin dorë nga kërkesa e cila sipas tyre është mekanizëm i vetëm për mbrojtjen nga mbivotimi të ligjeve që miratohen në Kuvend me votim të dyfisht. Kërkesa e këtyre të fundit mbështetet edhe nga ekspertët juridik shqiptar.

Partitë politike shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Demokracia e Re kanë reaguar ndaj qëndrimeve të partitë politike maqedonase të cilat kundërshtojnë kërksat e tyre për aplikimin e parimit të votimit të dyfishtë, i njohur ndryshe si parimi i Badinterit edhe në Gjykatën kushtetuese.

“Kërkesat të cilat i kemi parashtruar janë në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, prandaj ne do ti mbrojmë ato deri në fund. Nëse dikush mendon se do ta ndryshoj kushtetutën pa pëlqimin e faktorit politik shqiptar, atëherë besoj se kemi të bëjmë me politikanë joserioz dhe të papërgjegjshëm për shtetin”, deklaroi zëdhënësi i Demokracisë së Re, Arianit Hoxha.

Edhe nga BDI-ja thonë se mbështesin qëndrimin e kryetarit të saj, Ali Ahmeti se BDI-ja do të bllokoj ndryshimet kushtetuese nëse nuk miratohet kërkesa e tyre. Në fakt, ndryshimet e inicuara nga Kryeministri Gruevski nuk mund të miratohen nëse për to nuk votojnë edhe shumica e deputetëve të përkatësive entike jomaqedonase.

Ndërkohë, kërkesa e partive shqiptare, kundërshtohet edhe nga lideri i opozitës maqedonase, Branko Cërvenkovski. Sipas tij, kërkesa e partive politike shqiptare, mund të aplikohet vetëm në institucionet ku merren vendimet politike.

“Sa i përket propozimit për zbatimin e parimit të Badinterit në gjykatën kushtetuese, mendoj nuk është propozim i mirë sepse Badinteri ka logjikë të realizohet në institucione ku merren vendime politike, siç është Kuvendi i Maqedonisë, këshillat e komunave dhe komiteti për marrëdhënie ndëretnike. Gjykata kushtetuese duhet të vendos vetëm për një kriter, nëse miratimi i ligjeve apo vendimeve tjera është në përputhje me kushtetutën. Këtu përkatësia etnike e anëtarëve nuk duhet të luaj asnjë rol”, ka deklaruar Branko Cërvenkovski.

Por, qëndrimet e këtilla të partive maqedonase, kundërshtohen jo vetëm nga partitë shqiptare, por edhe nga ekspertët për çështje juridike. Profesori univeristar, Mersim Maksuti thotë se kërkesa e partive shqiptare është e qëndrueshme, pasi nuk ka kurrfarë logjike që vendimet që miratohen me votim të dyfisht në Kuvend, të mos mbrohen apo miratohen me të njejtin parim edhe në Gjykaatën kushtetuese.

"Për të gjitha ligjet që kalojnë me parimin e Badintrit në Kuvend, duhet që e njejta shumicë apo parimi i Badinterit të vleje edhe në Gjykatën kushtetuese sepse ky parim është institucioni dhe mekanizmi i vetëm që garanton që të mos cënohen këto të drejta dhe ligje sepse mund të ndodh që ligji i cili kalon me parimin e Badenterit në Kuvend, të hidhet poshtë nga Gjykata kushtetuese gjatë vlerësimit të kushtetutshmërisë së ligjit të miratuar ”, deklaroi Maksuti duke shtuar madje se kërkesa e partive shqiptare është e vonuar, pasi si e tillë buron nga Marrëveshja e Ohrit.

Ndryshimet kushtetuese në pjesën e pushtetit gjyqësor janë inicuar nga VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit Gruevski me qëllim të forcimit të pavarësisë së gjykatave, por kjo është shfrytëzuar nga partitë shqiptare për të kërkuar edhe njëherë forcimin e mekanizmit për mbrojtje nga mbivotimi që përveç në Kuvend dhe institucione tjera, të përdoret edhe në pushtetin gjyqësor.

XS
SM
MD
LG